Zv/kryeministri Arben Fetai mori pjesë në konferencën për Shënimin e Ditës së Nëpunësve Publikë dhe Shërbimeve Publike, të organizuar nga Ministria e Administratës Publike.
Në fjalimin e tij, Fetai tha se nëpunësit publikë janë fytyra e institucioneve, ndërsa përkujtoi se profesionalizmi, etika dhe sjellja e tyre e përkufizojnë besimin që qytetarët kanë në institucione.
“Kjo është një ditë kur i gjithë publiku duhet të rikujtohet se shërbimi në sektorin publik është një nder, por edhe një përgjegjësi. Është përgjegjësi të jesh korrekt, i qasshëm, efikas dhe mbi të gjitha i ndershëm”, tha Fetai.
Zv/kryeministri tha se ndërtimi i një administrate profesionale dhe të ndershme mbetet qëllim kyç për Qeverinë.
“Qëllimi ynë është i përbashkët dhe i qartë – të ndërtojmë një administratë publike që punon profesionalisht, në mënyrë transparente, efikase, të ndershme dhe në shërbim të qytetarëve. Një administratë që është imune ndaj presioneve, abuzimeve dhe korrupsionit”, deklaroi Fetai.