Zëvendësministri i Punëve të Jashtme të Iranit, Saeed Khatibzadeh, është pyetur se çfarë nënkupton Irani kur thotë se “të gjitha opsionet janë në tavolinë”, nëse Presidenti amerikan Donald Trump vendos për përfshirjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftë.
Ai ka thënë se kjo “nuk është lufta e Amerikës” dhe nëse Trump përfshihet, do të mbahet mend gjithmonë si një president që hyri në një luftë ku nuk i takonte të ishte, raporton“BBC”, përcjell Reporteri.net.
Khatibzadeh tha se Irani dëshiron diplomaci – por, sipas tij, për sa kohë që bombardimet ndaj Iranit vazhdojnë, “askush nuk mund të angazhohet në negociata”.
“Në momentin që ky agresion ndalet, natyrisht diplomacia është opsioni i parë,” – tha ai.
Sa i përket pyetjes nëse Irani mund t’i përballojë fuqinë ushtarake të SHBA-së, ai tha se ka “unitet kombëtar” përballë çdo agresori të huaj, dhe se nuk ka rëndësi kush ka më shumë forcë – ajo që ka rëndësi është rezistenca./Reporteri.net