Në kuadër të procedurës hetimore për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçanë, është përfshirë edhe një person tjetër ndaj të cilit është hapur hetim për vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme, sipas nenit 292 në lidhje me nenin 288 të Kodit Penal.

Gjatë hetimeve të deritanishme janë siguruar dëshmi që tregojnë se i dyshuari i ri është personi përgjegjës – pronari real i subjektit juridik të dyshuar, një agjenci për sigurimin e pasurisë dhe personave nga Shkupi.

Sipas provave, ai ka menaxhuar me ndërmarrjen dhe gjithë operimin e agjencisë, së bashku me drejtuesin e mëparshëm të dyshuar dhe personin e autorizuar të degës në Koçan.
“Ata, pa pasur një kontratë me përdoruesin e shërbimit Kabare PULS Koçanë, gjatë vitit 2025 ofronin shërbime sigurie për klubin. I dyshuari i ri, në mënyrë të vazhdueshme, udhëhiqte planin dhe mënyrën e ofrimit të shërbimeve të sigurisë përmes subjektit juridik. Së bashku me të dyshuarit që ishin të angazhuar si sigurim, në kundërshtim me disa nene të Ligjit për siguri private, pa vlerësim paraprak të rrezikut dhe plan sigurie, pa verifikim të kushteve për mbrojtje nga zjarri dhe rrezikut nga zjarret, pa kryer kontroll për kushtet e sigurisë në kabare në aspektin e pasurisë dhe personave – veçanërisht në lidhje me rrezikun dhe mundësinë e evakuimit – atë mbrëmje kur ndodhi zjarri nuk ushtronin kontroll dhe lejuan hyrjen e fëmijëve në objekt, nuk u kujdesën për tejkalimin e kapacitetit të lejuar të vizitorëve, nuk ndaluan futjen dhe përdorimin e mjeteve shpërthyese – mjete piroteknike nga anëtarët e grupit muzikor, me të cilat u shkaktua zjarri, për pasojë ndodhi vdekja e 62 personave, 157 të tjerë u lënduan rëndë dhe 54 të tjerë morën lëndime të lehta”, njofton Prokuroria.

Bazuar në urdhër gjyqësor, dje u kryen kontrolle në dy lokacione në Shkup dhe në Probishtip, si dhe në veturën e të dyshuarit, ku u konfiskuan dokumente të shumta që lidhen me subjektin juridik dhe pajisje elektronike. Personi është ndaluar dhe, duke marrë parasysh të gjitha rrethanat dhe bazën ligjore, prokurori publik sot do t’i paraqesë gjykatës së procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Koçanë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.