Zjarri në tregun industrial në Durrës, Tedi Blushi: Qeveria ka dështuar në garantimin e pronës dhe jetës!

Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar pas zjarrit që përfshiu sot tregun industrial në zonën e plazhit të Durrësit, ku u rrezikuan rreth 20 dyqane të ndërtuara me struktura të përkohshme.
Në një deklaratë të fortë publikuar në rrjetet sociale, Blushi e cilësoi këtë ngjarje si një tjetër dëshmi të braktisjes së qytetarëve nga shteti, duke akuzuar qeverinë dhe institucionet vendore për dështim në garantimin e sigurisë së pronës dhe jetës së njerëzve.
“Pamjet dramatike nga zjarri që po shkrumbon tregun e Durrësit janë një tjetër dëshmi tronditëse e braktisjes së plotë të qytetarëve dhe dështimit të thellë të qeverisë dhe institucioneve vendore,” shkruan Blushi.
Ai thekson se mungesa e përgjegjshmërisë institucionale nuk mund të justifikohet më me mungesën e mjeteve apo burokracinë. Sipas tij, kemi të bëjmë me një shtet që ekziston vetëm në letër dhe propagandë, por zhduket në momente emergjente.
Blushi bën thirrje për një hetim të menjëhershëm dhe të thelluar për shkaqet e zjarrit, vënien para përgjegjësisë të çdo zyrtari që ka dështuar në detyrë, si dhe kompensimin e menjëhershëm të tregtarëve të dëmtuar.
“Shteti nuk mund të jetë spektator përballë fatkeqësisë së qytetarëve të vet,” përfundon reagimin e tij Blushi.