Juventusi ka zyrtarizuar nënshkrimin e përhershëm të mbrojtësit francez Pierre Kalulu nga Milani, duke aktivizuar klauzolën e blerjes me vlerë 14 milionë euro.

Kalulu iu bashkua “Zonjës së Vjetër” verën e kaluar në formë huazimi dhe ka firmosur një kontratë katërvjeçare, e vlefshme deri më 30 qershor 2029.

Gjatë sezonit të parë në Torino, 25-vjeçari u shqua me paraqitje të qëndrueshme, duke luajtur në 39 ndeshje dhe shënuar një gol, pikërisht kundër Atalantës.

Forma e tij mbresëlënëse i siguroi një vend të përhershëm në formacionin titullar të Juventusit, çka bindi klubin të finalizonte transferimin.

Në ditën e 25-vjetorit të lindjes së tij, klubi e uroi Kalulun në rrjetet sociale me një mesazh të përzemërt: “Gëzuar ditëlindjen, Pierre”.

Kalulu është aktualisht me ekipin kombëtar të Francës, por pritet të ribashkohet me Juventusin pas angazhimeve ndërkombëtare.

Ai do të jetë pjesë e përgatitjeve të klubit për Kupën e Botës për Klube që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.