Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot, nga ora 11:30, do të dorëzojë në Prokurorinë Speciale vendimin e djeshëm të Gjykatës Supreme lidhur me çështjen e arkave fiskale.

Vendimi do të dorëzohet si provë në 17 kallëzimet penale që janë dorëzuar më 8 maj 2025.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se ka njoftuar ambasadorët e vendeve të QUINT-it lidhur me vendimin e Gjykatës Supreme, ku theksohet se Ministrave që janë zgjedhur deputetë u ka përfunduar mandati me përfundimin e mandatit të Qeverisë dhe se s’ka ndonjë autorizim “nënkushtetues përkatësisht publik për të ushtruar funksione të tilla për llogari të Republikës së Kosovës.

Supremja e ka hedhur poshtë një udhëzim administrativ të ministrit në dorëheqje, Hekuran Muratit, për punën e arkave fiskale. Sipas vendimit të Supremes, Ligji për Qeverinë, përkatësisht nenet 28 dhe 29 e përcaktojnë qartë se mandati i Qeverisë së Kosovës përfundon me përfundimin e mandatit katër vjeçar të Kuvendit dhe se mandati i anëtarëve të Qeverisë përfundon në rast të zgjedhjes së tyre deputet.

Gjykata Supreme në këtë vendim ka vlerësuar se ministri në detyrë që ka vendosur nënshkrimin e udhëzimit administrativ, në këtë rast Murati, i ka përfunduar mandati me përfundimin e mandatit të Qeverisë dhe s’ka ndonjë autorizim “nënkushtetues përkatësisht publik për të ushtruar funksione të tilla për llogari të Republikës së Kosovës”.

Në Aktgjykim theksohet se në kufizimet e Nenit 31 të Ligjit për Qeverinë, Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryej vetëm aktivitetet e domosdoshme dhe të planifikuara të Planti vjetor të punës së Qeverisë dhe në Ligjin vjetor për buxhetin, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore të reja.