Fillon ndërtimi i fushës ndihmëse në kuadër të Stadiumit të FC Shkupit – investim nga buxheti i Komunës së Çairit

Sot, nën udhëheqjen e Kryetarit të Komunës së Çairit, z. Visar Ganiu, u shënua fillimi zyrtar i punimeve për ndërtimin e fushës ndihmëse në kuadër të kompleksit sportiv të FC Shkupit – një projekt me rëndësi të veçantë për sportin lokal, i cili financohet tërësisht nga buxheti i Komunës së Çairit.
Fusha do të ketë sipërfaqe prej 4644 m², me përmasa 80 x 50 metra, dhe do të ndërtohet sipas standardeve të FIFA-s, me bar artificial, sistem të drenazhit atmosferik dhe ndriçim të plotë. Punimet pritet të përfundojnë brenda një afati prej 45 deri në 60 ditësh.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Zëvendëskryeministri i Parë z. Izet Mexhiti, Kryetari i Federatës së Futbollit z. Masar Omeragić, Zëvendësministrja e Sportit znj. Safije Shahini Sadiki, Kryetari i Këshillit Komunal z. Jetmir Asani, Deputetja znj. Feride Haxhiu, si dhe trajnerë, sportistë dhe përfaqësues të komunitetit sportiv.
Kryetari Visar Ganiu theksoi se ky projekt është dëshmi e përkushtimit të Komunës për të krijuar kushte moderne dhe të qëndrueshme për zhvillimin e sportit dhe mbështetjen e talenteve të rinj në Çair.