Një aksident me pasojë fatale ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në rrugën rajonale Kërçovë – Oslomej, pranë fshatit Garan, ku një qytetar i moshuar nga rrethina e Kërçovës ka humbur jetën tragjikisht informon Tetovasot.

Ngjarja ndodhi më 27 korrik 2025, rreth orës 08:15, kur automjeti i pasagjerëve “Volvo” me targa të Kërçovës, që drejtohej nga S.S. (74) nga fshati Cërvicë, doli nga rruga në rrethana ende të paqarta.

Për fat të keq, si pasojë e lëndimeve të rënda, drejtuesi i mjetit ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa vdekjen e konstatoi ekipi mjekësor i Ndihmës së Shpejtë që mbërriti në vend.

Sipas informacioneve nga Stacioni Policor i Kërçovës, në vendin e aksidentit menjëherë ka intervenuar ekipi i Njësisë për Punë të Brendshme, i cili në koordinim me prokurorin publik ka kryer këqyrjen e plotë të vendngjarjes.

Trupi i të ndjerit është dërguar për obduksion, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit janë në vijim.

Kjo tragjedi ka tronditur banorët e zonës, të cilët apelojnë për kujdes të shtuar në këtë segment rrugor, i cili njihet për kthesa të rrezikshme dhe mungesë të sinjalizimit adekuat.TS