28-vjeçari nga Manastiri në kazino i ka rrahur mjekët dhe policët të cilët kanë ardhur për ti dhënë ndihmë, përfundon në paraburgim

Prokuroria Themelore Publike në Manastir ka nisur procedurë kundër një personi për të cilin ekziston dyshim i bazuar se ka kryer veprën penale – Sulm ndaj punonjësit shëndetësor dhe bashkëpunëtorit shëndetësor gjatë ushtrimit të veprimtarisë shëndetësore, paraparë në nenin 304-g të Ligjit për mbrojtje shëndetësore, si dhe veprën penale – Sulm ndaj personit zyrtar gjatë ushtrimit të detyrave të sigurisë, sipas nenit 383 të Kodit Penal.
Më 29 qershor, në një kazino në Manastir, i dyshuari fillimisht sulmoi një mjek të shërbimit të ndihmës së shpejtë që po i jepte ndihmë mjekësore.
E goditi me grusht dhe i shkaktoi lëndim trupor.
Pas dhënies së ndihmës mjekësore, i dyshuari u transportua në Spitalin Klinik Publik – Manastir, ku gjithashtu kundërshtoi aktivisht të trajtohej, dhe për këtë arsye u thirr asistencë policore.
Kur arritën dy oficerët e policisë, 28-vjeçari i dyshuar edhe ata i sulmoi, i goditi disa herë dhe i kërcënoi.
Duke vlerësuar se ekzistojnë bazat ligjore – rreziku nga arratisja dhe mundësia e përsëritjes së veprës, prokurori publik i dorëzoi gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Manastirit një propozim për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarin.