A po e “instalon” Mickoski kandidatin shqiptar në Kërçovë? Fatmir Limani pritet të jetë kandidat i përbashkët i VMRO-DPMNE-së dhe VLEN-it?

Shkup, 4 korrik – Burime të besueshme partiake thonë për PressOnline.al se Ministri aktual për Çështje Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Limani pritet të jetë kandidatura e përbashkët e VLEN-it dhe partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, për kryetar të Komunës së Kërçovës në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë.
Sipas informatave të siguruara nga brenda strukturave të VLEN-it, emri i ministrit është diskutuar në takimet e nivelit më të lartë si zgjidhje “kompromisi” dhe “e koordinuar” me vetë kryeministrin Hristijan Mickoski. Pritet që kandidatura të shpallet zyrtarisht në javët e ardhshme, ndërsa ekipet e fushatës tashmë janë duke u përgatitur në terren.
Por kjo lëvizje po ngjall shqetësim në opinionin shqiptar.
A po instalon Mickoski njerëzit e vet në politikën shqiptare?
Kritikët e këtij bashkëpunimi thonë se bëhet fjalë për një tentativë të qartë të kryeministrit maqedonas për të kontrolluar jo vetëm institucionet shtetërore, por edhe përfaqësimin politik të shqiptarëve në nivelet lokale.
Një burim nga VLEN-i, i cili kërkoi të mbetet anonim, konfirmoi:
“Po, është diskutuar seriozisht kandidatura e ministrit. Ka pasur presion nga VMRO që ai të jetë fytyra e përbashkët për Kërçovën, si garanci për bashkëpunimin e ardhshëm.”
Pse shqiptarët nuk duhet të lejojnë që Mickoski tua diktojë politiken?
Sipas analistëve, rreziku qëndron te normalizimi i faktit që përfaqësuesit shqiptarë nuk e kanë më legjitimitetin nga qytetarët, por nga marrëveshjet nën tavolinë me liderë maqedonas. Kjo përbën një precedent të rrezikshëm për vetëvendosjen politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.(PressOnline.al)