Zgjedhjet lokale që pritet të mbahen këtë vjeshtë në Maqedoninë e Veriut po konsiderohen si moment kyç për legjitimitetin politik të koalicionit “Vlen”, dhe në tërësi për ecurinë e qeverisë aktuale. Deklaratat e zëvendëskryeministrit të parë, Izet Mexhiti, dhe ministrit për vetëqeverisje lokale, Zlatko Perinski, e kanë forcuar bindjen se një humbje në zgjedhjet lokale nga ana e “Vlen” do të çojë në tërheqjen e saj nga qeveria dhe potencialisht në zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverë të vitit 2026, shkruan PressOnline.al
Izet Mexhiti ka deklaruar qartë se, në rast se “Vlen” dështon në zgjedhjet lokale, nuk do të presin që kryeministri Hristijan Mickoski t’i largojë nga ekzekutivi. Sipas tij, një koalicion që humb mbështetjen e qytetarëve nuk ka as arsye as moral për të përfaqësuar shqiptarët në qeveri. Ai përmendi disa komuna kyçe si Tetova, Çairi, Gostivari, Struga dhe Dibra si pjesë të garës strategjike për legjitimitetin e bllokut shqiptar të qeverisë.
Sipas burimeve jozyrtare të PressOnline.al, VMRO-DPMNE tashmë ka lënë të kuptohet se “Vlen” duhet të fitojë së paku katër komuna të mëdha për të ruajtur pozitën në ekzekutiv. Ndërkohë, edhe në Kuvend, kryeministri Mickoski ka përmendur disa herë mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, fillimisht si reagim ndaj kritikave për “emrin e shtetit”, dhe më pas në kontekstin e tragjedisë së Kocanit, ku u la të nënkuptohet se qeveria është e gatshme të kërkojë sërish besimin e popullit.
Ministri për vetëqeverisje lokale, Perinski, e ka quajtur koalicionin qeveritar “të qëndrueshëm” dhe ka theksuar se deri tani kanë kaluar edhe ligje me shumicë të dyfishtë. Megjithatë, ai nuk e përjashtoi mundësinë që mungesa e legjitimitetit pas zgjedhjeve lokale të ndikojë në përbërjen qeveritare, veçanërisht në mungesë të shumicës së Badenterit për çështje të ndjeshme si ligji për vetëqeverisje lokale.
Edhe pse disa analistë kanë spekuluar me mundësinë që BDI të rikthehet në qeveri në vend të “Vlen”, zhvillimet e fundit tregojnë se vetë BDI insiston në zgjedhje të reja si parakusht për pjesëmarrje në ekzekutiv. Që nga krijimi i kësaj qeverie, BDI e ka kontestuar legjitimitetin e “Vlen” dhe ka kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të reja për të reflektuar vullnetin e vërtetë të votuesve shqiptarë. Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, për mediat ka pohuar se ishte vetë Mickoski që fillimisht propozoi zgjedhje të parakohshme, por më vonë hoqi dorë.
Zgjedhjet lokale në bllokun shqiptar këtë herë nuk do të jenë vetëm një garë për kryetarë komunash dhe këshilla lokalë, por një referendum politik për vazhdimësinë e qeverisë së tanishme. Nëse “Vlen” nuk arrin të konfirmojë mbështetjen e fituar në zgjedhjet parlamentare të majit, atëherë gjasa më e madhe është që vendi të përballet me zgjedhje të reja parlamentare në pranverë.