Kreu i Komisionit të Posaçëm të Pavarësisë, Jonaid Myzyri, i pezulluar aktualisht nga detyra, është paraqitur sot në seancë pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit ku ka ankimuar vendimin e shkallës së parë që la në fuqi masat e sigurisë ndaj tij, pezullim nga detyra dhe detyrim për paraqitje.

Myzyri kërkon ndryshimin e vendimit dhe rrëzimin e masave të sigurisë të caktuara më herët nga GJKKO e Shkallës së Parë. Seanca e Apelit do të shqyrtojë argumentet e mbrojtjes dhe do të vendosë nëse do të qëndrojnë në fuqi masat e vendosura apo do të ketë lehtësim të tyre.

Kreu i pezulluar i KPP, Jonaid Myzyri është nën hetim për dyshimet se ka qenë i përfshirë në manipulimin e procedurave të prokurimit publik, së bashku me persona të tjerë, duke cenuar barazinë e konkurrencës në tenderë.

Jonaid Myzyri u mor i pandehur për veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.

Sipas SPAK, Myzyri dhe shtatë zyrtarë të tjerë kanë favorizuar gjatë një procedure prokurimi një bashkim operatorësh, që kanë depozituar dokumente të falsifikuara.

Sipas SPAK, objekti i këtij hetimi ka qenë procedura e prokurimit me emërtimin: “Mirëmbajtje rutinë me përformancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal – Q. Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.8 milioë lekë pa tvsh, e zhvilluar më datë 18 shtator të vitit 2020 nga ana e Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH.