INTERVISTË ME ARTISTEN REVOLUCIONARE ADELINA ISMAILI
Intervistoi: Armend Preteni
Një prej emrave më të njohur të muzikës shqiptare është padyshim artistja revulucionare Adelina Ismaili, e cila tash e sa dekada ka udhëhequr një karrierë të jashtëzakonshme, duke lënë një gjurmë të thellë në industrinë e muzikës.
Së fundmi ajo ka rikthyer veten me një projekt të fuqishëm dhe emocional, që ngre çështje sociale të rëndësishme, si dhuna ndaj grave dhe lufta për liri dhe barazi. Me projektin “GRUA”, Adelina nënvizon fuqinë e gruas dhe rolin e saj në shoqëri, duke sjellë pesë këngë të cilat përmes videoklipeve dhe mesazheve të fuqishme kërkojnë ndryshim.
Në këtë intervistë të realizuar nga gazetari Armend Preteni, artistja e njohur ndan mendimet për projektin e saj të ri, ndikimin e tij në shoqërinë shqiptare, si dhe reflektimet për karrierën e saj pas 40 vitesh në skenë. Po ashtu, ajo flet për luftën e gruas kosovare për liri dhe si ky projekt ka pasur një ndikim të veçantë për ata që e kanë paragjykuar gjatë gjithë kohës.
Në vijim, intervista me artisten Adelina Ismaili na fton të shohim më thellë në botën e saj artistike, por edhe në përpjekjet e saj për të sfiduar normat dhe për të pasqyruar fuqinë e gruas përmes muzikës dhe artit.
Cili ishte momenti që të shtyu të thuash: Tani është koha për një projekt të kalibrit të lartë artistik si “GRUA”, me pesë këngë të cilat në vete përcjellin mesazhe të fuqishme dhe vijnë të realizuara me videoklipe?
Adelina Ismaili: Vrasjet e grave në Kosovë. Dhuna ndaj grave, femrave në përgjithësi. Hudhja e fajit tek viktima që është një abnormalitet i shoqërisë sonë. Kur të gjitha këto bëhen bashkë, i kupton të gjitha ato gra që po braktisin burra të ligj. Dhe e hedh në këngë.
Cilën nga pesë këngët “Bajat”, “A je ti”, “Baju”, “Vet kom vendos”, dhe “Liria është femër”, e ke më për zemër pasi tekstet i ke shkruar vetë?
Adelina Ismaili: “Baju”, sepse ka një melodi që më pëlqen jashtë mase dhe mendoj që e kam interpretuar me tërë shpirtin.
A është “Liria është femër” një deklaratë politike e fshehur në art?
Adelina Ismaili: Jo. Titulli ndoshta mund të ngacmojë pak, por në thelb nuk ka asgjë politike. Është një këngë tjetër, ashtu hahaha.
Në tekstet e këngëve përmend vendosmërinë dhe largimin, a janë bazuar në histori të vërteta?
Adelina Ismaili: Natyrisht, jemi dëshmitare të gjallë që për herë të parë në historinë e Kosovës gratë po marrin vendime vetë dhe po largohen me vendosmëri nga e keqja. Jam inspiruar nga ajo që po ndodh, revolucioni i heshtur i gruas kosovare. Nuk ka të bëjë fare me mua personalisht asnjëra këngë.
A është ky projekt një goditje për të gjithë ata që të kanë paragjykuar në të kaluarën?
Adelina Ismaili: Nuk e kam menduar si të tillë. Ka kohë që nuk merrem me ata që paragjykojnë. Ky projekt është odë për çdo femër kosovare.
A është Adelina më “e rrezikshme” tani sesa në kulmin e karrierës së saj?
Adelina Ismaili: Jam këngëtarja më bashkëpunuese që do të gjeni hahaha. Guxoj të them që sot kam më shumë fuqi artistike sesa dikur, sepse sot kemi më shumë vetëdije artistike në qarqe të caktuara. Jam më e pjekur, po.
Pse kolegët e xhelozojnë kaq shumë Adelina Ismailin, ku shumë pakëz për të mos thënë aspak mbështetje, qoftë edhe me një shpërndarje të këngëve në llogaritë e tyre sociale?
Adelina Ismaili: Nuk di. Nuk e kam menduar asnjëherë. Kështu ka qenë gjithmonë dhe mbase jam mësuar hahaha. Nuk besoj që është xhelozi, sa besoj që është një lloj frike e paarsyeshme. Mëqëse nuk bëj pjesë në asnjë klan të showbiznesit. Sidoqoftë, ecim tutje.
A po i sfidon Adelina normat patriarkale të shoqërisë me këtë rikthim?
Adelina Ismaili: Gjithmonë i kam sfiduar. Jam e lumtur që kemi arritur shumë në këtë aspekt, sidomos me këngë. Patriarkati nuk ka sjellë asgjë të mirë në shoqërinë tonë. Është kthim prapa. Ne po ecim përpara.
Cili është mesazhi kryesor që Adelina Ismaili përcjell me këtë projekt?
Adelina Ismaili: Liria është gjithçka në këtë jetë. Një grua e lirë është grua e lumtur, e përmbushur. Vetëm me gra të tilla mund të kemi një shoqëri të shëndoshë.
A mendon se gratë e sotme janë më të fuqishme falë figurave si ti që theve rregullat dekada më parë?
Adelina Ismaili: Ma kanë thënë shumë vajza e gra këtë gjë. Është çmimi më i lartë që mund ta fitoj si këngëtare që kishte këtë mision para vetes. Uroj të jetë kështu.
Cila është receta e suksesit të Adelina Ismailit me rastin e 40-vjetorit të karrierës dhe me çfarë do ta befasosh publikun gjatë muajve në vijim?
Adelina Ismaili: 40-vjetori është projekt ambicioz. Film dokumentar, EP, rimasterizim i këngëve të vjetra dhe koncert. Shpresoj që secila nga këto të ketë një befasi në vetvete. Po punojmë çdo ditë në atë drejtim.
Nëse “GRUA” do të ishte një protestë në shesh, çfarë do të shkruante pankarta jote?
Adelina Ismaili: “Falënderojuni që po kërkojmë barazi dhe nuk po kërkojmë hakmarrje.”