Një aksident i rëndë me motoçikletë ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Ohrit, ku një grua ka pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa drejtuesi i motoçikletës ka përfunduar me lëndime më të lehta.
Sipas informatave zyrtare që Tetovasot i siguron nga SPB Ohër, ngjarja është raportuar më 28.07.2025, në orën 00:15, kur në një shteg këmbësorësh në qytetin e Ohrit, L.S. (47) nga fshati Konjsko, rrethi i Ohrit, ka humbur kontrollin mbi motoçikletën e tij të llojit “Yamaha” me targa të Ohrit dhe ka rënë nga shtegu.
“Në aksident lëndime të rënda trupore ka pësuar bashkudhëtarja B.S. (45) nga i njëjti fshat, ndërsa vetë drejtuesi L.S. ka pësuar lëndime trupore,” njofton SPB Ohër për Tetovasot.
Të dy të lënduarit janë dërguar menjëherë në Spitalin Special “Shën Erazmo” në Ohër, ku janë trajtuar për plagët e marra.
“Pas incidentit, në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë ekipi hetimor i SPB Ohër, i cili ka kryer këqyrjen dhe po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit,” konfirmojnë burime zyrtare për Tetovasot.
Ky është një tjetër rast që ngre shqetësime mbi sigurinë e motoçiklistëve dhe shfrytëzimin e rrugëve nga mjete motorike në zona të destinuara për këmbësorë.