Aksident në rrethrrotullim në Shkup – 75-vjeçari bie nga mopedi, përfundon me lëndime të rënda në spital

Një qytetar i moshuar ka pësuar lëndime të rënda trupore pas një aksidenti të ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një nga rrugët kryesore të Shkupit.
Sipas informatave të siguruara nga SPB Shkup për Tetovasot, ngjarja është denoncuar më 27 korrik 2025, rreth orës 01:30, kur në rrethrrotullimin mes rrugëve “Kemal Sejfulla” dhe “Gjorgji Pop Hristov”, një moped me targa të Shkupit, i drejtuar nga R.A. (75) nga Shkupi, ka dalë jashtë kontrollit dhe ka rënë në asfalt.
“Si pasojë e rrëzimit, drejtuesi i mjetit pësoi lëndime të rënda trupore, të cilat janë konstatuar në Qendrën e Urgjencës pranë Kompleksit Klinik ‘Nëna Terezë’ në Shkup,” konfirmuan burime policore për Tetovasot.
Në vendin e ngjarjes ka intervenuar ekipi hetimor i SPB Shkup, i cili ka kryer këqyrjen dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Ky incident vjen si një kujtesë për rrezikun që paraqet drejtimi i mjeteve të dy rrotave, sidomos nga persona të moshës së tretë dhe në kushte me ndriçim të dobët.