Deputetja e Frontit Evropian, Rina Ajdari në seancën e sotme për pyetje të deputetëve, e pyeti zëvendëskryeministrin e parë Izet Mexhitin për bashkpartiakun e tij në VLEN, Bilall Kasamin, me pretendim se si kryetar i komunës së Tetovës ka shitur hapësirë publike në qendër të qytetit, truall prej rreth 2.900 metra katrorë për 190.000 euro, ndërsa, siç tha, çmimi real është dhjetë herë më i lartë.

Mexhiti në seancën e pyetjeve të deputetëve u përgjigj se në atë komunë janë të njohura parcelat e tokës të dhëna për biznesmenin malazez Miodrag Davidoviq – Daka, i cili është, tha, “në listën e zezë të SHBA-së”.

“Ishte skandaloze ajo që ju keni bërë në Tetovë me Daka Davidoviqin, truall me përmasa të mëdha nga Tetova. Më tragjike është që nuk është përfshirë “Bota serbe” por nëntoka malazeze dhe serbe. Ju nuk keni asnjë të drejtë morale të akuzoni askënd tjetër nëse është shitur një gjë e tillë. Unë do t’u jap përgjigje edhe për pyetjen konkrete që bëre dhe nëse nevojitet do të diskutojmë edhe se si e sollët Daka Davidoviqin në zemër të Tetovës. Duhet të jepni përgjigje për Dakën, për Soravinë dhe pastaj do të diskutojmë për çështje tjera”, shtoi Mexhiti.

E pa kënaqur nga përgjigja, deputetja Ajdari replikoi se ajo që po pretendon ishte në periudhën kur ai ishte nënkryetar i BDI-së dhe, siç tha, ishte “ngushtë i lidhur me strukturat për të cilat ai aludon se e kanë bërë këtë”.