Muaji korrik po shoqërohet me temperatura shumë të larta. Ditët në vijim, janë paralajmëruar të jenë përvëluese. Të premten, temperatura sipas Drejtoris për Punë Hidrometeorologjike do të shkojnë deri në 43 gradë Celsius. Ndërkaq, freskim të motit, pritet të ketë të dielën, ku priten reshje shiu në disa lokacione dhe rënie të lehtë të temperaturave.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike
“Deri të shtunën do të mbaj mot me diell dhe shumë i nxehtë, me vranësira lokale të lehta deri në mesatare. Temperatura ditore në disa vende do të kalojë mbi 40 gradë dhe gjithandej do të jetë mbi mesataren për muajin korrik. Të dielën do të ketë mot jo stabil me shi lokal të rrëmbyeshëm dhe bubullima. Temperatura gjatë ditës do të jetë në rënie”.
Ndërkohë institucionet shëndetësore vazhdimisht apelojnë për kujdes në këto temperatura të larta. Ndër rekomandimet për mbrojtje shëndetësore janë, konsumimi sa më shumë i ujit, shmangie të kontaktit me diellin, gjegjësisht nga ora 11:00 deri në orën 17:00, konsumimi i ushqimit të lehtë, veshja me rroba të lehta dhe të përshtatshme, rekomandohet që të mos përgatitet ushqim mes orës 13:00-17:00.