Sondazhi i publikuar nga MKD.mk, i realizuar nga agjencia Market Vision në periudhën 20 qershor – 4 korrik, konfirmoi një realitet që nuk mund të injorohet: grupimi politik VLEN ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë. Diferenca është e thellë, rënia është reale, dhe tentimet për të relativizuar këtë mesazh të qartë janë vetëm përpëlitje të një strukture që tashmë e ka kuptuar vendin e saj në skenën politike – në margjinë.

VLEN-i e ka ditur këtë, sepse edhe sondazhet e tyre interne japin pasqyrë të njëjtë, madje më të rëndë. Por në vend që të përballen me të vërtetën, zgjedhin propagandën dhe mohojnë realitetin. As logjistika e VMRO-DPMNE-së nuk do t’i shpëtojë nga ajo që i pret në tetor, një humbje e pashmangshme.

Aleanca për Shqiptarët shpreh mirënjohje për qytetarët që e kuptuan me mençuri dhe maturi vendimin tonë për t’u distancuar nga një qeveri diskriminuese dhe nga një grupim pa orientim, që i ktheu shpinën interesave të shqiptarëve. Largimi ynë nga VLEN nuk ishte veprim politik – ishte detyrim moral ndaj qytetarëve.

Ky sondazh është edhe një goditje për individët që tentuan të mbajnë peng ASH-në për interesa personale, për karrieristët që shisnin flamurin e ASH-së për një kolltuk qeveritar. Sot janë të ekspozuar. Tetori është afër, dhe pensionimi i tyre politik është proces i pashmangshëm. Kështu ndodh kur nuk dëgjohet zëri i qytetarëve dhe kur pushteti nuk fitohet, por dhurohet në pazare të pista.

Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë të qëndrojë në krah të shqiptarëve dhe qytetarëve, e pastër, e pa shitur dhe me qëndrim të qartë: barazi, drejtësi dhe përfaqësim real për shqiptarët.