Aliu në takim me përfaqësuesit e Bankës Botërore: Zbatojmë politika të bazuara në nevojat e personave me aftësi të kufizuara

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, realizoi një takim me përfaqësues të Bankës Botërore, ku u diskutua për aktivitetet aktuale dhe të ardhshme që lidhen me vendosjen e një sistemi për vlerësimin e personave me aftësi të kufizuara, si pjesë e Projektit për Administrimin e Sigurimit Social (SIAP), i mbështetur nga Banka Botërore.
“Qasja jonë si Ministri e Shëndetësisë është të jemi të hapur dhe të zbatojmë politika të bazuara në nevoja. Së bashku me të gjithë aktorët, përfshirë edhe Bankën Botërore, jemi të përkushtuar për të vendosur një qasje efikase, holistike dhe të integruar në vlerësimin e aftësisë së kufizuar,” theksoi në takim ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Theksi i veçantë u vu në rëndësinë e pilotimit të metodologjisë së re kombëtare dhe në nevojën për forcimin e kapaciteteve institucionale dhe koordinimin në terren.
Ministria e Shëndetësisë mbetet e përkushtuar në përmirësimin e politikave dhe aktiviteteve shëndetësore që sigurojnë qasje të drejtë dhe mbështetje për të gjithë qytetarët, veçanërisht për personat me aftësi të kufizuara.