Aliu: Nga sot nis fushata për zbulimin e hershëm të sëmundjeve të mëlçisë – po punojmë intensivisht në digjitalizimin e programeve të skriningut

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sot vizitoi njësinë mobile në sheshin “Maqedonia” në Shkup, prej nga nisi skriningu falas dhe anonim për zbulimin e hershëm të sëmundjeve të mëlçisë.
“Me këtë e shënojmë fillimin e një fushate të përbashkët kombëtare, që po e realizojmë në bashkëpunim me klinikat për gastroenterohepatologji dhe sëmundje infektive, si dhe me Hepar Centar – Manastir. Po punojmë intensivisht në digjitalizimin e programeve për skrining të sëmundjeve malinje, sepse është shumë e rëndësishme koha në të cilën pacienti testohet , por edhe pjesa pas skriningut, pra ndjekja e pacientit dhe marrja me kohë e rezultateve. Do të përpiqemi të përmirësojmë infrastrukturën dhe anën teknike të sistemit ‘Termini Im’ në mënyrë që të shkurtohet koha e pritjes për rezultatet,” theksoi ministri Aliu. “Së shpejti do ta shpallim edhe metodologjinë e re, e cila është drejt përfundimit, si dhe mënyrën e re të caktimit të termineve për kontroll të pacientëve,” deklaroi ministri Aliu.
Fushata kombëtare për skrining falas dhe anonim për zbulimin në kohë të sëmundjeve të mëlçisë po realizohet në 10 qytete të vendit. Qëllimi është rritja e ndërgjegjësimit për sëmundjet e mëlçisë, siç janë kanceri i mëlçisë, dhjamosja e mëlçisë nga natyra alkoolike dhe joalkoolike, cirroza dhe sëmundjet e rralla të mëlçisë.