Alonso pas humbjes së rëndë: Kjo ishte ndeshja e fundit e sezonit 2024/25, s’ka nisur ende sezoni i ri

Real Madridi e pësoi një humbje të thellë e të rëndë mbrëma nga Paris Saint-Germaini në gjysmëfinale të Botërorit të Klubeve.
Trajneri i ri i “Los Blancos”, Xabi Alonso është munduar ta zbusë humbjen e mbrëmshme duke thënë se kjo humbje i përket sezonit të kaluar, atij 2024/25, e jo atij që do të nisë në muajin e ardhshëm.
Ish-trajneri i Bayer Leverkusenit e ka analizuar edhe ndeshjen e mbrëmshme me kampionët evropianë, të cilët ishin dominues absolutë në fushën e blertë, në ndeshjen e zhvilluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aty ku po mbahet kjo garë.
“E kishim ndërtuar planin tonë për ndeshjen, por pas 10 minutash, ndeshja mori histori tjetër. Nuk duhet të harroni diçka, kjo ishte ndeshja e fundit për sezonin 2024-2025, nuk ishte ndeshja e parë e sezonit 2025-2026. Po, është shumë e vështirë, PSG e ka ndërtuar prej vitesh këtë projekt, ne tani po e ndërtojmë. Nuk kam folur dot as për transfere me klubin pasi kemi qenë të angazhuar me Botërorin e klubeve”, deklaroi Alonso pas ndeshjes, teksa shtoi se ka parë gjëra pozitive tek ekipi, por që s’mund t’i shpjegonte ato pas këtij rezultati.
Realit i mbetet të punojë më së shumti me mbrojtjen, e cila ishte pika e dobët në ndeshjen e mbrëmshme me parisienët.