Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, ka bërë publik lajmin se Sekretari amerikan Marco Rubio pranoi ftesën për të vizituar Shqipërinë në një të ardhme të afërt.

Përmes një postimi në Facebook, Bushati shkruan se e ftoi Rubio-n të vizitojë Shqipërinë në emër të Kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar vizitën e tij një mundësi për të forcuar më tej marrëdhëniet strategjike mes Tiranës dhe Uashingtonit.

“Sekretari Marco Rubio është mik i shqiptarëve. Në emër të KM Rama e ftova te vizitojë Tiranën; Portën e Ballkanit për US, për dy arsye: Shqipëria është edhe një mrekulli e diplomacisë Amerikane: nga një diktaturë komuniste që njihej si “Koreja e Veriut në Europë”, sot në vendin më pro Amerikan & pro NATO kudo. •E ftova edhe në emër të një kombi të vogël, por me një zemër të madhe si Nënë Tereza: mesazhi ynë nesër për në EU “më shumë Dashuri edhe më shumë shërbim me përulësi”.,” shkruan Bushati.

Sipas ambasadorit, Sekretari Rubio e ka pranuar me kënaqësi ftesën për të vizituar Shqipërinë, duke vlerësuar rolin e saj si kontributore në NATO, veçanërisht pas zhvillimeve të fundit ndërkombëtare.

“Sekretari Rubio pranoi ftesën me kënaqësi, në funksion edhe të agendës shumë të ngjeshur të Diplomacisë Amerikane sot, të vizitojë “një vend që e vlerëson si kontributor në NATO, sidomos pas vizitës së fundit në Hague”, shkruan Bushati.

“4 Korriku nuk është thjesht Dita e Pavarësisë së SHBA është Deklarata e Lirisë dhe Demokracisë për gjithë botën tonë,” përfundon Bushati.