Ambasadori i Bashkimit Evropian në Maqedoninë e Veriut, Mihalis Rokas sot do ta vizitojë komunën Ohër si pjesë e nismës për afrimin në BE dhe procesin e integrimit të vendit deri te popullata lokale.

Delegacioni i BE-së në Shkup njoftoi se Rokasi do ta fillojë vizitën me takim me kryetarin Kiril Pecakov dhe anëtarët e Këshillit Komunal.

“Gjatë takimeve do të theksohen përfitimet nga anëtarësimi drejt BE-së si dhe ndikimi konkret në mbështetjen e BE-së ndaj jetës së përditshme në rajon”, bëhet e ditur në kumtesë.

Pas takimeve, ambasadori Rokas do ta vizitojë Shërbimin Alpinist të Shpëtimit në Ohër, projekt i mbështetur në kuadër të Programit për bashkëpunim ndërkufitar ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Ambasadori i BE-së nesër do ta vizitojë komunën Strugë ku në “Jurop Haus Strugë” do të takohet me sipërmarrës të rinj lokalë “me të cilët do t’i shqyrtojnë nismat e drejtuara drejt uljes së emigrimit të të rinjve dhe fuqizim të strukturës shoqërore të rajonit”.