Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka bërë të ditur se Shqipëria ka hapur tre kapituj negociues me Bashkimin Evropian vetëm në gjashtë muajt e fundit dhe synon t’i hapë të gjithë brenda vitit.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Meidani theksoi se kishte kënaqësinë të shoqëronte Kryeministrin Edi Rama gjatë pjesëmarrjes në Samitin BE–Ballkani Perëndimor në Shkup, ku Shqipëria u vlerësua për ritmin e saj të integrimit dhe angazhimin e qëndrueshëm drejt anëtarësimit.
Në kuadër të vizitës, Rama i shoqëruar edhe nga ambasadori Meidani, zhvilluan edhe takime me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti dhe liderin e ASH-së, Arben Taravari, ku u diskutuan sfidat dhe përgjegjësitë e përbashkëta të faktorit politik shqiptar në proceset integruese dhe zhvillimet rajonale.
Vizita e delegacionit shqiptar në Shkup përfundoi me një ndalesë simbolike në Çarshinë e Vjetër të qytetit – një hapësirë që, siç u shpreh Meidani, “ruan gjurmët e identitetit shqiptar dhe dëshmon bashkëjetesën kulturore ndër shekuj.”