Shkruan, Bexhet Musliju, themelues i Agjencisë së Lajmeve Zhurnal.mk
Shkup, 29 korrik – Gostivari është tronditur nga një ngjarje e rëndë mbrëmjen e djeshme, ku një i ri humbi jetën pasi u përplas nga një veturë BMW me targa të Zvicrës.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), aksidenti ka ndodhur në një nga rrugët kryesore të qytetit, ndërsa shoferi i veturës është arrestuar menjëherë pas ngjarjes tragjike.
Banorët e Gostivarit dhe familjarët e viktimës kanë përjetuar dhimbje të thellë, ndërsa rasti ka hapur sërish debatin për kujdesin dhe respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, sidomos gjatë periudhës së verës kur shumë mërgimtarë kthehen në vendlindje me automjete të fuqishme.
Kjo ngjarje e rëndë duhet të jetë një thirrje e fortë për të gjithë: jetët tona janë më të vlefshme se shpejtësia dhe aventura rrugëve
Apel për kujdes nga kurbetçarët
U bëjë thirrje mërgimtarëve që të tregojnë kujdes të shtuar në qarkullimin rrugor dhe të respektojnë shpejtësinë e lejuar, për të shmangur tragjedi të tilla që lënë pas dhimbje të madhe te familjet dhe komuniteti.
Ardhja e mërgimtarëve në vendlindje i gëzon familjarët dhe iu jep gjallëri të gjithë qyteteve. Muajt korrik dhe gusht, janë më të zhurmshmit dhe më aktivët, sepse të afërmit, familjarët dhe miqtë mblidhen gjithandej dhe kalojnë çaste të këndshme me të afërmit që vijnë nga kurbeti. Por, ajo që po vërehet në gjithë këto tubime e aktivitete është se “mërgimtarët po kthehen në realitetin e vjetër”!.
Kjo, në fakt nënkupton se mërgimtarët edhe pse jetojnë në vende të zhvilluara të perëndimit ku respektojnë me përpikmëri ligjet dhe rendet e shtetit ku jetojnë, kur po kthehen në vendlindje, thua se i harrojnë krejtësisht rregullat e atjeshme dhe adoptohen në “kaosin” e këtushëm.
Fatkeqësisht ajo që shihet në trafik, është për të ardhur keq. Vetura të parkuara vend e pa vend, tejkalime pa kontroll, mungesë e vijave të bardha dhe shenjëzimit të rrugëve. Kjo pastaj shkakton edhe tejkalime të limitit të shpejtësisë e për pasojë sjell në aksidente të shpeshta, lëndime trupore e shpeshherë edhe në përfundime tragjike.
Është fakt se infrastruktura rrugore në Maqedoninë e Veriut është shumë e dobët dhe e çorientuar, mirëpo kjo nuk i jep askujt të drejtë që të mos respektojë rregullat në komunikacion. Edhe pse ka përjashtime, në shumë raste përveç veturave me targa vendore, që çdoherë jemi mësuar t’i shohim duke shkelur rregullat, së fundmi shohim edhe vetura me targa të huaja të kurbetçarëve, të cilët nuk i respektojnë rregullat, drejtojnë makinat më shpejt se sa lejohet dhe parkojnë vend-e-pa vend.
Kjo formë tregon krejtësisht një mentalitet të gabuar. Në vend që këta qytetarë që jetojnë jashtë të jenë shembull për të tjerët duke treguar e dëshmuar se kështu duhet të respektohen rregullat, sepse kështu respektohen në shtete ku ata jetojnë, ata fatkeqësisht bien në ndikimin e kaosit të këtushëm dhe bëhen ngjashëm si qytetarët që jetojnë këtu. U bëhet normale të parkosh atje ku nuk duhet, u bëhet normale të tejkalohet shpejtësia dhe u bëhet normale që të bëjnë “gara” me makina nëpër rrugë të banuara.
Përderisa pushteti dhe të gjitha partitë politike flasin me admirim dhe respekt ndaj mërgatës, dhe, shpeshherë edhe policia i toleron në gabimet e vogla që ata bëjnë në komunikacion, është koha që mërgata të jetë shembull më i mirë për një transformim pozitiv të shoqërisë.
Nëse është “normale” që të hidhen mbeturina vend- e- pa vend, mërgimtarët duhet të jenë shembull dhe të mësojnë edhe të afërmit e tyre se njejtë si në Zvicër apo Gjermani, edhe këtu mbeturinat duhet të hidhen në kosh. Ngjashëm duhet t’i mësojnë fëmijët, se njejtë siç nuk shahen, nuk fyejnë dhe respektojnë më të moshuarit në vendet ku jetojnë në kurbet, ngjashëm duhet të veprojnë edhe kur te kthehen në vendlindjen e pridnërve të tyre.
Dhe mbi të gjitha, mos të harrojmë se vet prindërit janë shembulli më i mirë për fëmijët. Nëse prindi e tejkalon shpejtësinë me makinë, të njëjtën gjë do e bëjnë fëmijët e tyre, nëse prindi ka sjellje jo të duhur, ngjashëm do të bëhen edhe pasardhësit e tij, prandaj kultura se si të sillemi në shoqëri nuk duhet të na rregullohet vetëm nga frika e ligjit dhe policisë, por edhe nga ndërgjegja jonë, morali dhe edukata familjare.
Andaj, mërgimtarë që po kënaqeni në vendlindje, mos i shkelni ligjet dhe respektoni ato njejtë siç i respektoni në vendet ku jetoni e veproni.