Gjatë qëndrimit të tij në Uashington, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, dr. Arben Taravari, pati një takim të veçantë me ambasadorin William Walker – njeriun që denoncoi masakrën e Reçakut dhe tronditi ndërgjegjen ndërkombëtare mbi krimet në Kosovë.
“Sot kisha privilegjin e jetës sime të jem i ftuar në shtëpinë e tij. Ka disa njerëz që me trimërinë e tyre bëjnë vepra të jashtëzakonshme si çlirimi i një shteti. Një figurë e këtij kalibri është edhe ambasadori Walker,” u shpreh Taravari pas takimit.
Në takim mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Vrapçishtit, z. Isen Shabani.
Ky takim vjen në kuadër të pjesëmarrjes së delegacionit të Aleancës për Shqiptarët në Samitin Global për të Drejtat e Njeriut në SHBA, ku po trajtohen sfidat e demokracisë, të drejtave civile dhe lirisë së popujve.