Kryetarja e Shkupit, Danella Arsovska, ka reaguar me tone të ashpra ndaj situatës në Komunën e Çairit, duke kërkuar masa urgjente ligjore dhe ndëshkuese ndaj kryetarit Visar Ganiu dhe rrjeteve të ndërtimit të paligjshëm që, sipas saj, po rrezikojnë jetën e qytetarëve.

“Taman punë, zotëri Mexhiti, unë të jap zgjidhje që ju të vazhdoni me këtë krim!” – deklaroi Arsovska në një reagim publik.

Ajo renditi katër kërkesa urgjente për institucionet shtetërore:

Arrestimi i menjëhershëm i Visar Ganiut
Sipas Arsovskës, Ganiu duhet të përgjigjet për akuzat si: bashkim kriminal, falsifikim dokumentesh, pastrim parash, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe rrezikim të jetës së banorëve të Çairit.
“Çdo ditë që kalon pa drejtësi është një ditë e rrezikshme për qytetarët”, theksoi ajo.
Ndërprerje e 50 ndërtimeve të paligjshme në Çair
Ajo pretendon se këto objekte po ndërtohen aktualisht pa asnjë leje, pa projekte, pa pagesë të detyrimeve komunale dhe me lidhje të paligjshme të ujit dhe rrymës.
“Gënjeni se janë ndërtuar në vitin 2010, por ndërkohë betoni juaj po ngrihet sot!”, akuzoi Arsovska.
Krijimi i një regjistri për verifikimin sizmik të ndërtesave
Kryetarja e Shkupit kërkon që të gjitha objektet të kontrollohen për siguri sizmike, ndërsa qytetarët që janë mashtruar të kompensohen nga shteti.
“Nëse Qeveria ndihmon për Araçinovën, mund të ndihmojë edhe për Çairin”, u shpreh ajo.
Aktivizimi i inspektoratit ndërtimor në terren
Në rast të mospunës nga Komuna e Çairit, Arsovska kërkon që Ministria e Transportit t’i marrë kompetencat dhe të veprojë Inspektorati Shtetëror i Ndërtimtarisë.
“Nëse inspektorati në Çair nuk guxon të dalë në terren, le të ndërhyjë shteti!”, theksoi ajo.
Arsovska e përmbylli reagimin e saj me një paralajmërim: “Krimi urban nuk do të mbrohet nga heshtja institucionale. Do të flas për çdo lagje, çdo qytetar, çdo rrezik që ju po e ndërtoni me tulla e beton!”