Një operacion i ndërmarrë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Fier, në bashkëpunim me Policinë Vendore, ka çuar në ekzekutimin e disa masave sigurie ndaj funksionarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve të Bashkisë Fier, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe ndikim të paligjshëm.
– Advertisement –
Operacioni, i koduar “Parking”, është rezultat i një hetimi disa mujor që lidhet me administrimin e parkimit nëntokësor në këtë qytet.
Sipas hetimeve, zyrtarët e përfshirë nuk kanë zbatuar kuadrin ligjor për vendosjen e kasave fiskale në këtë hapësirë, duke mos arkëtuar rreth 40 milion lekë në buxhetin e Bashkisë Fier.
Po ashtu, nëpërmjet shpërdorimit të funksioneve, ata dyshohet se kanë ulur në mënyrë të paligjshme taksat për disa subjekte tregtare, kundrejt përfitimeve të tjera.
Në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë:
“Arrest në shtëpi” për A. H., 34 vjeçe, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës dhe ish-Zëvendës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
“Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim nga detyra” për V. C., 41 vjeç, drejtor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për “Shpërdorim detyre”;
“Pezullim nga detyra” për A. C., 38 vjeçe, drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për “Shpërdorim detyre”;
“Pezullim nga detyra” dhe “Ndalim për të dalë jashtë shtetit” për M. D., 57 vjeç, sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, për “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet mbeten në vijim.
Njoftimi i plotë i policisë
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, pas një pune hetimore disamujore, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2025, ka finalizuar operacionin policor “Parking”.
Në kuadër të tij u ekzekutuan masat e sigurisë:
– “Arrest në shtëpi” për shtetasen A. H., 34 vjeçe, banuese në Fier, ish-Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës së Bashkisë Fier dhe ish-Zëvëndës Kryetare e Bashkisë Fier, për veprat penale “Shperdorimi i detyrës” dhe “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike;
– “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për shtetasin V. C., 41 vjeç, banues në Fier, Drejtor në Drejtorinë e Verifikimit dhe Koordinimit në Terren për Rajonin Jugor në Drejtorinë Rajonale Tatimore Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasen A. C., 38 vjeçe, banuese në Fier, Drejtoreshë në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
– “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, për shtetasin M. D, 57 vjeç, banues në Fier, sekretar i Përgjthshëm i Bashkisë Fier, për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Këta shtetas, duke mos vepruar sipas kuadrit ligjor për vendosjen e kasës së fiskalizimit për parkimin nëntokësor që administron Bashkia Fier, nuk kanë arkëtuar shumën prej rreth 40 milion lekë në arkat e Bashkisë Fier.
Gjithashtu, këta shtetas, nëpërmjet shpërdorimit të detyrës, kanë ulur taksat e subjekteve të ndryshme tregëtare në Fier, kundrejtë përfitimit.
Materialet i kaluan Prokurorisë Fier, për veprime të mëtejshme.