Një tjetër rast i tentativës për trafikim armësh zjarri është goditur nga Policia Kufitare në pikën kufitare të Morinës, shkruan Gazeta Sinjali.

Një 28-vjeçar me inicialet A. S., banues në Prizren, është arrestuar në flagrancë pasi në automjetin e tij u gjet një armë pistoletë dhe municion luftarak.

Policia njoftoi se gjatë kontrollit të automjetit tip “Benz”, i cili iu nënshtrua një kontrolli të detajuar bazuar në analizën e riskut, u gjet arma e fshehur së bashku me municionin. Materialet e procedurës janë kaluar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Kukës.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVKM Kukës po vijojnë hetimet për këtë rast, ndërsa Policia Kufitare thekson angazhimin e saj në luftën kundër krimeve ndërkufitare dhe trafikimit të armëve.