Arsenali thuhet se ka marrë dritën jeshile për të përfunduar transferimin prej 64 milionë eurosh të Viktor Gyokeres nga Sporting Lisbona, me sulmuesin suedez që pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore këtë fundjavë.
27-vjeçari është gati të veshë fanellën legjendare me numrin 14 të Thierry Henry në ‘Emirates Stadium’, pasi ka refuzuar oferta nga klube të tjera për t’u bashkuar me skuadrën e Mikel Artetës këtë verë.
Sipas The Athletic, Arsenal ka arritur një marrëveshje të plotë me Sportingun për Gyokeres, duke paguar fillimisht 54.8 milionë euro dhe 9.2 milionë euro të tjera në formë bonusesh.
Sulmuesi suedez tashmë ka marrë leje për të udhëtuar drejt Londrës për testet mjekësore të shtunën.
Me kushtet personale dhe klauzolat përfundimtare tashmë të dakorduara, marrëveshja është gati për t’u finalizuar.
Gyokeres ka qenë një nga sulmuesit më të kërkuar në Evropë këtë verë, pas një sezoni të jashtëzakonshëm me 54 gola në 52 ndeshje për Sportingun, dhe u identifikua si objektivi kryesor i Arsenalit për qendrën e sulmit.
Arsenali kaloi pjesën më të madhe të sezonit 2024/2025 pa një ‘numër 9’, për shkak të dëmtimeve të Kai Havertz dhe Gabriel Jesus, duke përfunduar për herë të tretë radhazi në vendin e dytë në Ligën Premier, dhjetë pikë prapa kampionëve të Liverpoolit dhe me 17 gola më pak të shënuar.