Të nderuara media,
Të nderuar qytetarë,
Fëmijët tanë meritojnë një sistem arsimor të drejtë, gjithëpërfshirës dhe me mundësi të barabarta për të gjithë – pa dallim etnie, gjuhe apo përkatësie institucionale.
Fatkeqësisht, ajo që po shohim sot është një diskriminim sistematik ndaj institucioneve arsimore shqiptare dhe një përjashtim të qëllimshëm nga projektet, fondet dhe zhvillimi strategjik i arsimit në vend.
Diskriminimi i hapur ndaj universiteteve dhe shkollave shqiptare
Në konkursin për financimin e projekteve kërkimore shkencore me interes të veçantë shkencor dhe publik për vitin 2025 (30.4 milion denarë):
• 4 projekte i takojnë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit
• 1 projekt Universitetit “Goce Dellçev” të Shtipit,
• 0 projekte për Universitetin e Tetovës apo Universitetin “Nënë Tereza”.
Në konkursin për ndarjen e fondeve për financimin e projekteve kërkimore shkencore të Institucioneve Shkencore Publike (23.7 milion denarë):
• 7 institute maqedonase (instituti për gjuhën maqedonase, kulturën sllave, literaturën maqedone, historinë nacionale).
• Vetëm një projekt për Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, me një shumë prej vetëm 2.9 milion denarë.
Realizimi i projekteve infrastrukturore me njësitë e vetëqeverisjes lokale (135 milion denarë):
• Financohet ndërtimi i objekteve arsimore në komuna maqedonase: Kisella Vodë, Manastir dhe Vallandovë.

Reforma të nxituara dhe të centralizuara, pa përfshirjen e të gjithë qytetarëve
Për dekada të tëra, në vend të planifikimit serioz, sistemi ynë arsimor ka përqafuar reforma të nxituara që ndryshojnë me çdo rotacion politik, pa asnjë analizë paraprake, prova shkencore, testime në kushte reale, dhe më e rëndësishmja – pa trajnime adekuate dhe të vazhdueshme për kuadrin arsimor.
Reformat janë shpesh të dizajnuara në zyrë, pa përfshirjen e profesionistëve të arsimit në terren. Në praktikë, ato mbesin të pazbatuara ose zbatohen në mënyrë të fragmentuar, duke lënë mësuesit dhe nxënësit të përballen me konfuzion dhe mungesë drejtimi.
Kundërshtojmë implementimin e pakontrolluar të inteligjencës artificiale (IA) në shkolla
• Asnjë strategji kombëtare, pilot-projekt apo kornizë etike nuk është paraqitur për përdorimin e IA-së.
• Kujt i shërben kjo nismë e shpejtuar e Qeverisë? Si u përzgjodh kompania Brainster për t’i prirë këtij procesi?
Rreziqet janë të mëdha dhe të vërtetuara shkencërisht:
• Studimi “AI meets the classroom: When does ChatGPt harm learning” paralajmëron se përdorimi i IA si ndihmës për detyra shkollore ul aftësinë analitike dhe përvetsimin afatgjatë të dijes
• Studimi “Your Brain on ChatGPT:accumulation of cognitive debt when using an AI assistant for essay writing” tregon ulje të aktivitetit neuro-kognitiv deri në 47 %
• Mbi 80% e përdoruesve të IA nuk janë në gjendje të rikujtojnë informacionin e prodhuar me ndihmën e algoritmeve.
Aleanca për Shqipatër ka qëndrim të qartë:
Financim të drejtë për të gjitha universitetet dhe shkollat publike, pa diskriminim etnik.
Rishikim të reformave me përfshirje të komunitetit akademik shqiptar dhe të gjitha bashkësive.
Ngritjen e një Komisioni të Pavarur për vlerësimin e përdorimit të IA-së në arsim.

Arsimi është baza e shoqërisë sonë. Nuk mund të ndërtojmë të ardhme me themele të kalbura. Është koha për drejtësi, për përgjegjësi dhe për arsim që i shërben të gjithë qytetarëve.