Kryetarja e Asamblesë së Gruas pranë Aleancës për Shqiptarët, znj. Elfete Ismaili, në një konferencë për shtyp të mbajtur në selinë e partisë në Shkup, ka ngritur alarmin për gjendjen e rëndë ekonomike që po përjetojnë qytetarët, duke akuzuar Qeverinë për mungesë të plotë të politikave mbështetëse dhe indiferencë ndaj varfërisë.

“Qeveria ka dështuar dhe qytetarët janë ata që po e paguajnë çmimin e krizës ekonomike,” u shpreh Ismaili.
“Rritja e çmimeve po i godet më së shumti shtresat më të ndjeshme dhe nuk po shihet asnjë plan konkret nga ana e ekzekutivit për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve.”

Ajo theksoi se ndërsa inflacioni zyrtar për muajin qershor është raportuar në 4.5%, në realitet gjendja ekonomike është shumë më dramatike, me rritje të ndjeshme në çmimet e ushqimeve, energjisë, shërbimeve shëndetësore dhe veshmbathjes.

“Këto nuk janë thjesht përqindje në tabela – janë kosto reale që rëndojnë mbi shpatullat e qytetarëve, të cilëve çdo ditë u zvogëlohet fuqia blerëse,” theksoi ajo.

Krahas situatës së rënduar ekonomike, Ismaili kritikoi ashpër edhe planifikimin buxhetor të Qeverisë, duke përmendur shpenzimet për pjesëmarrjen në EXPO 2027 në Beograd.

“Në kulmin e krizës, Qeveria e Maqedonisë së Veriut planifikon të harxhojë 1.8 milionë euro nga buxheti i shtetit për EXPO-n e Beogradit 2027, për logo, karrige, akomodime e promovime. Kjo është një tallje me qytetarët që mezi ia dalin të mbijetojnë,” deklaroi Ismaili.

Ajo theksoi se “inflacioni është një taksë e fshehur që rëndon më shumë mbi ata që kanë më pak,” ndërsa i rinjtë po largohen masivisht nga vendi për shkak të mungesës së shpresës dhe perspektivës. “Pensionistët nuk mund të përballojnë më jetesën. Kjo është një spirale që po i fundos të gjithë,” shtoi ajo.

Aleanca për Shqiptarët, në këtë kontekst, propozoi një paketë emergjente me masa konkrete, përfshirë:

Ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë dhe shërbimet shëndetësore;
Subvencionim të shtresave më të goditura nga inflacioni;
Mbështetje për prodhuesit vendorë për të frenuar varësinë nga importet;
Vendosje të mekanizmave për kontrollin e çmimeve dhe ndalim të spekulimeve në treg;
Llogaridhënie për keqpërdorimin e buxhetit dhe dështimin e politikave ekonomike.
Në përmbyllje të deklaratës, Ismaili tha:
“Aleanca për Shqiptarët nuk do të heshtë. Ne do të ngremë zërin për dinjitetin e qytetarëve dhe për politika që vendosin qytetarin në qendër të shtetit – jo interesat e një pakice të privilegjuar që jeton në luks.”

“Koha për veprim është tani – jo nesër.”