Qeveria VMRO-VLEN po e zhvesh çdo ditë realitetin politik të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Me 136 punësime të reja në institucionet shtetërore, shqiptarët përfaqësohen vetëm me 5 të punësuar, pa asnjë në pozita drejtuese. Ky nuk është thjesht diskriminim – është përjashtim i planifikuar dhe sistematik.

Faktet flasin: Ministria e Energjetikës: 18 punësime – 0 shqiptarë, Ministria e Mbrojtjes: 26 punësime – vetëm 1 shqiptar, Ministria e Bujqësisë: 10 punësime – 0 shqiptarë, Ministria e Sportit: 50 punësime – 4 shqiptarë, asnjë në pozita drejtuese, si dhe Regjistri Qendror: 32 punësime – 0 shqiptarë. Krejt këto punësime janë bërë vetëm në ditët e para të korrikut.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është spastrimi etnik institucional, i heshtur por i vazhdueshëm. Në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup dhe në Institutin Shëndetësor Publik – Klinika Universitare e Endokrinologjisë, shqiptarët po largohen nga puna në mënyrë të qëllimshme dhe selektive.

Kjo qasje e re e qeverisë, e përkrahur nga VLEN-i i përkulur, po thellon çdo ditë hendekun mes komuniteteve dhe po bën realitet paralajmërimet tona për shkeljen e rëndë të barazisë dhe të Marrëveshjes së Ohrit.

VLEN, në vend që të përfaqësojë interesin e shqiptarëve, ka zgjedhur të shijojë pushtetin për një grusht njerëzish, ndërsa shqiptarët në masë përjashtohen nga institucionet, margjinalizohen dhe diskriminohen.

Pyesim publikisht Zeqirja Ibrahimin, i cili publikisht deklaroi se deri në fund të korrikut do të kemi 2.500 punësime dhe avancime të shqiptarëve. Sot shohim se për çdo ditë punësohen maqedonas. Ku ngeli punësimi i shqiptarëve? Apo punësohen vetëm familjarët tuaj, që mund të numërohen me gishtat e duarve?

Aleanca për Shqiptarët nuk do të ndalet në ngritjen e zërit kundër këtij diskriminimi brutal. Kjo padrejtësi nuk mund dhe nuk duhet të normalizohet. Tetori është afër, përgjigja e shqiptarëve ndaj vasalëve dhe kësaj qeverie antishqiptare, do të jetë e fuqishme dhe vendimtare.

Aleanca për Shqiptarët