ASH-Taravari: Dy skandale në një ceremoni – Aleanca për Shqiptarët: Në Ilinden anashkalohet shqipja dhe emri kushtetues i shtetit!

Në një demonstrim të qartë të shkeljes së Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, Ministria e Shëndetësisë dje shënoi hapjen e Shtëpisë së Shëndetit në Ilinden me dy shkelje flagrante, mungesën e gjuhës shqipe në tabelat zyrtare dhe përdorimin e emrit të vjetër të shtetit “Maqedonia”, në vend të emrit kushtetues “Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Ironikisht, i gjithë ky spektakël u udhëhoq nga një ministër shqiptar, Azir Aliu, që përfaqëson një subjekt politik i cili pretendon se mbron interesat e shqiptarëve në pushtet. Por heshtja dhe servilizmi i tij i djeshëm, përballë një provokimi të tillë institucional, dëshmon të kundërtën.
Gjuha shqipe u përjashtua nga tabela e institucionit publik në kundërshtim me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, ndërsa me sfondin “Macedonia” – pa asnjë referencë kushtetuese – u injorua edhe Marrëveshja e Prespës, duke rrezikuar kredibilitetin ndërkombëtar të shtetit.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe përfaqësues të tjerë të qeverisë dhe vetë kryeministri Mickoski, përballë të cilit ministri Aziri u rreshtua i heshtur dhe pa reagim. Ky është imazhi më i qartë i vasalitetit politik të VLEN-it, të pranishëm në pushtet, por të padukshëm për të drejtat e qytetarëve që pretendojnë se përfaqësojnë.
Aleanca për Shqiptarët dënon ashpër këtë sjellje të papërgjegjshme institucionale dhe kërkon korrigjimin e menjëhershëm të tabelave të institucionit, në përputhje me Ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Po ashtu, kërkon sqarim publik dhe kërkim falje nga Ministria e Shëndetësisë për përdorimin e emrit jo-kushtetues të shtetit, marrjen e përgjegjësisë politike nga ministri Aliu për dështimin në mbrojtjen e standardeve ligjore dhe kushtetuese.
Për Aleancën për Shqiptarët, ky nuk është thjesht një “lëshim teknik” – është vazhdim i një praktike diskriminuese dhe nënçmuese ndaj gjuhës shqipe dhe të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Nëse nuk reagohet sot, precedentët e tillë do të bëhen normë nesër. Barazi do të thotë respekt. Respekti fillon nga gjuha dhe Kushtetuta. Aleanca për Shqiptarët do të jetë gjithmonë në krah të qytetarëve dhe në mbrojtje të të drejtave të tyre, pa kompromis dhe pa frikë.