Aleanca për Shqiptarët ka mbajtur një takim me strukturat partiake, aktivistët dhe qytetarët në Çegran të Gostivarit, ku është zyrtarizuar edhe themelimi i shtabit zgjedhor për zgjedhjet lokale të vjeshtës.
Me aklamacion, në krye të këtij shtabi u zgjodh Afet Bilalli, një emër me përvojë dhe angazhim të gjatë në terren.
Në këtë tubim, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka folur për margjinalizimin institucional të shqiptarëve në nivel shtetëror dhe ka theksuar nevojën urgjente për rikthimin e dinjitetit dhe përfaqësimit real të qytetarëve shqiptar.
“Ne do ta kthejmë besimin dhe dinjitetin shqiptar atje ku i takon, sepse për shumë kohë kemi qenë të anashkaluar e të nënvlerësuar”, tha Taravari, duke siguruar çegranasit se zhvillimi i fshatit të tyre do të jetë pjesë e prioriteteve të ardhshme.
Ndërkohë, kryetari aktual i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, foli për sukseset e deritanishme dhe planet për të ardhmen. Ai theksoi se Komuna është e përkushtuar që të mos mbetet asnjë vendbanim prapa dhe se Çegrani do të jetë pjesë e projekteve konkrete për zhvillim infrastrukturor dhe ekonomik.