Kabineti i ri i Ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, po ngjall debat për përbërjen e tij të përzier me figura të lidhura si me ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, ashtu edhe me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë (LSDM).

Sipas informacioneve të siguruara, shef i kabinetit të ministrit Aliu është emëruar një simpatizant i njohur i LSDM-së. Në rrjete sociale qarkullojnë fotografi ku ai shfaqet në aktivitete partiake përkrah ish-presidentit Stevo Pendarovski, si dhe në ngjarje të organizuara gjatë qeverisjes së ish-kryeministrave Zoran Zaev dhe Dimitar Kovaçevski.

Për më tepër, Azir Aliu ka përfshirë në ekipin e tij edhe Aleksandar Mitov, një ish-këshilltar i afërt i ish-kryeministrit Nikolla Gruevski, i njohur për rolin e tij në periudhën e qeverisjes së VMRO-DPMNE-së.

Ky kombinim figurash politike nga spektri i kundërt ka ngritur pikëpyetje në opinion për drejtimin që do të marrë Ministria e Shëndetësisë dhe prioritetet që do të ndjekë kabineti i ri. Ende nuk ka një deklaratë zyrtare nga ministri Aliu në lidhje me këto emërime.