Nënkryetari i BDI-së dhe kandidati i mundshëm i Frontit Kombëtar për kryetar të Tetovës, Bajram Rexhepi, ka zhvilluar sot një takim me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rexhepi ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, si dhe për kontributin e ndërsjellë në forcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe ndërshtetërore.

“Sot takova ambasadorin e Shqipërisë, z. Denion Meidani. Diskutuam për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve tona dhe kontributin që ne mund të japim për zhvillimin dhe avancimin e këtyre marrëdhënieve,” ka shkruar Rexhepi.

Ai gjithashtu ka theksuar rolin e pazëvendësueshëm të shtetit shqiptar në mbështetjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

“Shteti shqiptar ka qenë dhe do të mbetet një përkrahës i përkushtuar i vendit tonë dhe një garantues i avancimit të statusit të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.” shton më tej Rexhepi.

Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për zhvillimet politike në vend, veçanërisht në prag të zgjedhjeve lokale, ku Rexhepi përmendet si një prej kandidatëve kryesorë për kryetar të Komunës së Tetovës.