Që nga ardhja e trajnerit Hansi Flick, Jules Kounde është shndërruar në një shtyllë të rëndësishme të mbrojtjes së Barcelonës dhe klubi tashmë ka marrë një vendim në lidhje me të ardhmen e tij.

Barcelona vazhdon të punojë për ndërtimin e skuadrës për sezonin 2025/26, me qëllim konsolidimin e një projekti konkurrues. Pas afrimit të portierit Joan García, katalanasit po synojnë edhe huazimin e Marcus Rashford, ndërsa përballen me kufizimet financiare të LaLigas.

Në të njëjtën kohë, klubi është i fokusuar në shitje strategjike për të gjeneruar të ardhura. Kjo është e domosdoshme për të përmbushur kërkesat financiare dhe për të lejuar përforcime të reja deri më 30 gusht.

Pavarësisht lëvizjeve të tjera, Kounde mbetet i paprekshëm në planet e Flick. Me kontratë deri në qershor 2027, francezi zhvilloi një sezon të shkëlqyer me 53 paraqitje, 4 gola dhe 8 asistime.

Sipas Mundo Deportivo, bisedimet për rinovimin e kontratës së Kounde janë në fazë të avancuar. Klubi synon ta mbyllë marrëveshjen sa më shpejt, duke ruajtur një nga gurët e themelit të projektit të ri.

Kampioni i La Ligas synon që ta blindojë Kounden me kontratë të re deri më vitin 2030.

Zgjatja e kontratës me Kounde është jo vetëm garanci për mbrojtjen, por edhe një mesazh i fortë për angazhimin e Barcelonës ndaj lojtarëve kryesorë. Performanca e tij ka larguar çdo dyshim për të ardhmen.

Barcelona vazhdon të lëvizë në merkato, por ruajtja e stabilitetit me lojtarë si Kounde është thelbësore për ambiciet në La Liga dhe Evropë. Klubi po garon me kohën për të kompletuar skuadrën deri në fund të afatit kalimtar.