Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh indinjatën më të thellë për konkursin e fundit të shpallur nga Ministria e Bujqësisë, ku nga të gjithë të emëruarit: këshilltarë shtetërorë, udhëheqës të sektorëve, të njësive dhe këshilltarë të zakonshëm, asnjë nuk është shqiptar. Rezultati është i qartë: 10 me 0.

Kjo është vetëm një tjetër dëshmi se kjo qeveri, e cila nuk ka legjitimitet etnik, po zbaton një plan sistematik për përjashtimin e shqiptarëve nga institucionet shtetërore dhe publike. Ky plan nuk është i ri. Ai është konceptuar nga partitë dhe oligarkia maqedonase që në vitin 2022 dhe po zbatohet hap pas hapi përmes vendimeve administrative, politike e kushtetuese.

Në qendër të këtij skenari të rrezikshëm qëndron diskriminimi i qëllimshëm i shqiptarëve, qëllimi i të cilit është zbehja e rolit të tyre si faktor shtetformues dhe institucional. Ky proces ka nisur me sulmet ndaj përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, me mohimin e të drejtës për vetëdeklarim etnik, me tentativat për shfuqizimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe me eliminimin praktik të bilingualizmit në institucionet publike.

Gjykata Kushtetuese, nën urdhrat e kësaj qeverie, ka filluar të rrënojë themelet e Marrëveshjes së Ohrit, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për prishjen e ekuilibrit ndëretnik dhe kthimin e vendit në një sistem monoetnik dhe diskriminues.

Rasti i Ministrisë së Bujqësisë është vetëm vazhdimësi e kësaj agjende: në emër të “profesionalizmit” dhe “kompetencës” po fshihet një pastrim sistematik etnik nga institucionet. Shqiptarët janë përjashtuar jo për mungesë vlerash, por për shkak të përkatësisë së tyre kombëtare.

Mbetjet e vetme të “përfaqësimit” janë spektatorë të heshtur, marioneta në një teatër turpi që luhet çdo ditë në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

BDI do të vazhdojë të qëndrojë në mbrojtje të barazisë, drejtësisë dhe përfaqësimit real të shqiptarëve në të gjitha nivelet e shtetit, duke denoncuar me forcë çdo përpjekje për përjashtim, diskriminim dhe zhbërje të arriturave historike.