Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësim të thellë dhe dënon fuqishëm përuljen publike të radhës që Kryeministri i vendit i bëri kryetarit të Komunës së Tetovës, në mesin e qytetit, edhe këtë herë përballë kamerave dhe opinionit të gjerë, duke mos e lënë të përgjigjet në pyetjen adresuar vetë atij.
Kjo nuk ishte vetëm nënvlerësim personal, por një demonstrim i hapur i konceptit të dominimit monoetnik që është instaluar me shpejtësi në institucionet shtetërore. Njësoj si në rastin e Zhelinës, edhe në Tetovë po shkelet në publik autoriteti i një përfaqësuesi të zgjedhur.
Kjo sjellje nuk është as spontane, as teknike, është thellësisht politike dhe e qëllimshme. Është realizim i premtimeve të dhëna nga ky pushtet për “t’u treguar vendin shqiptarëve”. Sot kjo po ndodh haptazi, përsëri: para syve të opinionit, në mes të Tetovës, në një ngjarje ku Kryeministri jo vetëm që dominon narrativën, por edhe hesht dhe poshtëron përfaqësues të zgjedhur vendorë, duke legjitimuar një logjikë të rrezikshme të “disiplinimit” politik.
Investimi që po prezantohet në këtë rast, nuk është pjesë e buxhetit shtetëror, nuk vjen nga ndonjë program qeveritar apo politikë publike. Ai është një “dhuratë” e një kompanie private serbe, që përputhet plotësisht me rritjen e ndikimit të “botës serbe” në jetën institucionale të vendit: nga emërimi i Stoilkoviqit, vizitat e Dodikut dhe klerikëve me orientim antiperëndimor, deri te këto investime “të buta” që po shtrijnë ndikim të drejtpërdrejtë në vendbanimet tona.
Ne nuk do të heshtim përballë kësaj.
Përulja e një kryetari komune nuk është përulje e një individi. Është fyerje ndaj zgjedhësve, ndaj autonomisë lokale dhe ndaj barazisë qytetare. Është goditje e drejtpërdrejtë ndaj Marrëveshjes së Ohrit dhe ndaj rrugës euroatlantike të vendit.
BDI u bën thirrje të gjitha forcave politike shqiptare dhe aktorëve shoqërorë që të mos normalizojnë këtë logjikë poshtëruese, të reagojnë me dinjitet dhe të qëndrojnë në krah të institucioneve që përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve tanë. Heshtja nuk është opsion.