Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj shpifjeve dhe akuzave që, sipas saj, po përhapen në disa qarqe afër pushtetit me qëllim diskreditimin e funksionarëve dhe aktivistëve të saj në komunën e Shuto Orizarës. Në një reagim zyrtar, BDI i cilëson këto zhvillime si “lajme tendencioze dhe shpifje të qëllimshme”, duke përmendur përfshirjen e rreme të disa anëtarëve të saj në incidente të rënda si zjarrvëniet në Shkup dhe Vizbeg.
“Përpjekjet për manipulim publik përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj zërit opozitar dhe përfaqësimit politik të shqiptarëve,” thuhet në reagimin e partisë, ku paralajmërohet se po ndërtohet një strategji për frikësimin dhe shantazhimin e strukturave organizative të BDI-së në prag të zgjedhjeve lokale.
BDI kërkon nga institucionet përgjegjëse që të japin shpjegime transparente për kontrollin policor të kryer në shtëpinë e z. Iljas Leskovica, duke pyetur se kush qëndron pas vendimeve të tilla që, sipas tyre, janë selektive dhe të motivuara politikisht.
“Instrumentalizimi i institucioneve nuk është sfidë vetëm për një parti politike, por përbën një kërcënim serioz për rendin demokratik dhe të ardhmen evropiane të vendit,” thuhet më tej në deklaratë, ku përmendet edhe rasti i Koçanit si dëshmi e mëparshme e përdorimit të drejtësisë për qëllime politike.
BDI e cilëson si të papranueshme mbrojtjen që, sipas saj, pushteti i ofron strukturave kriminale të lidhura me veprimtari të paligjshme, të cilat po përdoren për të shtypur opozitën dhe për të goditur pluralizmin politik.
Në përfundim, partia thekson se do të vazhdojë të mbrojë sundimin e ligjit dhe përfaqësimin politik të shqiptarëve pa u ndalur nga presionet apo tentativat për frikësim politik.