Në ditën e fundit të kësaj legjislature parlamentare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, doli nga selia e PD-së për të ritheksuar qëndrimin e opozitës: mospranimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit dhe synimin për të kërkuar një qeveri teknike që do të çojë vendin në zgjedhje të reja.
“Partia Demokratike nuk i njeh këto zgjedhje. Ajo ka luftuar dhe do luftojë për një qeveri teknike dhe zgjedhje të reja”, tha Berisha përpara gazetarëve.
Gjatë deklaratës, ai komentoi edhe procesin e rinumërimit të votave në qarkun e Fierit, duke akuzuar Partinë Socialiste për manipulime.
Megjithatë, Berisha nuk pranoi të komentonte rastin e kandidaten së tij, Silva Hasaj, të cilës gjatë rinumërimit iu gjetën 671 vota të marra pa të drejtë. “Cilido që nuk zbaton ligjin, për mua do të jetë përgjegjës para ligjit”, u shpreh ai shkurt.
Kreu i PD-së artikuloi gjithashtu akuza ndaj anëtarit të Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, Ilir Rusmali, i cili ka qenë më parë bashkëpunëtor i tij. Berisha e akuzoi Rusmalin për mungesë morali dhe për mënyrën se si ai kishte vlerësuar votat në Tiranë: “Ka qenë bashkëpunëtor i imi, por e kam shkarkuar për korrupsion Ilir Rusmalin. Ky njeri që nuk ka ligj e as moral, që është si vetja e veta, e ndonjë mik si ai, ky njeri pse dilte viza pak nga kuadrati, siç më kanë sjellë në zyrë me dhjetëra e dhjetëra, ky i quante të pavlerë.”