Besa Ismaili – studentja më e mirë e diplomuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë në Shkup në vitin akademik 2023/2024

Besa Ismaili u vlerësua nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup si studentja më e mirë e diplomuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë në vitin akademik 2023/2024. Momenti kur ajo u shpall më e mira në gjeneratën, ishte momenti më i lumtur gjatë gjithë studimeve të saj.
“Nuk ishte vetëm njohje, por provë se çdo natë pa gjumë, çdo provim dhe çdo dilemë personale vlerësohej vërtet. Të ndaja atë nder me familjen time ishte një ndjenjë që më mbushi me mirënjohje dhe një vetëdije të thellë se puna e palodhur gjithmonë gjen rrugën e saj drejt njohjes”, thotë Besa.
Ndërtimtaria nuk ka gjini, është një profesion për ata që mendojnë në mënyrë kritike
Ajo zgjodhi të studionte ndërtimin, duke e kuptuar atë si një përzierje perfekte të logjikës, shkencës dhe krijimit të prekshëm. Ajo dëshiron të jetë pjesë e atyre inxhinierëve të ndërtimit që krijojnë ndërtesa që do të zgjasin, do të jenë funksionale dhe do të ruajnë vlerën e tyre pas shumë vitesh.
Në brezin e saj kishte më shumë vajza sesa djem. Besa thotë se kjo nuk ishte rastësi, por ato vërtetuan qartë atë që duhej të ishte pranuar shumë kohë më parë – se ndërtimi nuk ka gjini, shkruan portali Fakulteti.mk.
“Nuk është as profesion mashkullor dhe as femëror – por një profesion për ata që mendojnë në mënyrë kritike, zgjidhin probleme dhe duan të lënë pas diçka të prekshme dhe të vlefshme. Prania e grave në këtë fushë nuk është një trend, por një “normalitet” i ri dhe i merituar” thotë Besa.
Nga inxhinjerët e ndërtimit varet siguria dhe cilësinë e jetës
Тë studiosh në Fakultetin e Ndërtimtarisë nuk ishte i lehtë. Studimet kërkonin këmbëngulje, disiplinë dhe përkushtim të vërtetë. Si përparësi, ajo veçon zbatueshmërinë e njohurive, logjikën e lëndëve dhe ndjenjën e përmbushjes gjatë zgjidhjes së një problemi real. Si disavantazhe: materialin e gjerë dhe ritmin që ndonjëherë nuk linte vend për pushim. Megjithatë, nuk është e lehtë të arrish një mesatare prej 9.58 dhe të përfundosh studimet në kohë rekord.
“Çelësi i këtij rezultati nuk ishte vetëm të mësuarit, por edhe kurioziteti. Gjithmonë ishte e rëndësishme për mua që ajo që po mësoja të kishte kuptim për mua, që të mund t’ua shpjegoja të tjerëve, që të dija se ku zbatohej dhe pse ishte e rëndësishme. E shoqërova të mësuarit me përgjegjësinë – sepse si inxhinierë të ardhshëm, vendimet tona ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë dhe cilësinë e jetës. Ndërtimtaria nuk mësohet përmendësh, ajo mësohet me logjikë, sistematikë dhe interes të sinqertë. Bëra plane, fillova me kohë dhe gjithmonë mbështetesha në vizualizime, shembuj praktikë dhe shumë detyra. Besoja se kur mëson me qëllim të të kuptuarit, suksesi është thjesht një pasojë e natyrshme” – shton Besa, tranmseton Fakulteti.mk.
Dëshira e saj e madhe, të punojë në projekte që do të mbeten për brezat e ardhshëm
Momenti më stresues gjatë studimeve të saj ishte një ditë para mbrojtjes së temës së diplomës. Ndjesia se e gjithë puna e viteve duhej të paraqitej në pak minuta, krijon shumë presion.
“Doja që gjithçka të ishte pa të meta sepse kisha vite pune të palodhur pas meje dhe e dija sa shumë do të thoshte ajo punë për mua personalisht dhe akademikisht” – sqaron Besa.
Ajo gjithashtu e konsideron tezën e saj si suksesin e saj më të rëndësishëm gjatë studimeve. Ajo punoi në një projekt me softuer me burim të hapur për analizën e trarëve statikisht të papërcaktuar. Nuk ishte vetëm një arritje teknike, por edhe një mënyrë për të treguar se inxhinieria mund të jetë si tradicionale ashtu edhe moderne – dhe se inxhinierët e rinj mund të jenë analistë, programues dhe inovatorë në të njëjtën kohë.
Ajo është e regjistruar në studimet master dhe është gjithashtu demonstruese në Fakultetin e Ndërtimtarisë. Kjo i lejon asaj të jetë pjesë e mjedisit akademik dhe në të njëjtën kohë të vazhdojë të përmirësohet si inxhiniere dhe si studiuese e ardhshme. Por dëshira e saj e madhe është të punojë në projekte që do të mbeten për brezat e ardhshëm, me vlerë të vërtetë, jo vetëm konstruktive, por edhe sociale, që nuk janë vetëm funksionale, por edhe të besueshme dhe jetëgjata.
“Do të fusja transparencë dhe kontroll më të madh në zbatimin e projekteve në ndërtim. Do të përmirësoja procesin e dixhitalizimit dhe do të investoja në staf të ri – përmes stazheve, mentorimeve dhe detyrave reale. Është koha që më në fund të heqim dorë nga praktika e “gjithmonë ka qenë kështu” dhe të ndërtojmë një sistem që vlerëson njohuritë, vizionin dhe integritetin sepse kështu ndërtohet një e ardhme e fortë dhe e qëndrueshme”, thekson Besa.
Ajo i porositë studentët e rinj të ndërtimit të mos kenë frikë nga sfidat.
“Ndërtimi kërkon shumë, por ju jep më shumë mbrapsht. Jini kuriozë, bëni pyetje, mos u kënaqni me njohuri sipërfaqësore. Ndërtoni jo vetëm struktura – por edhe karakter. Dhe mos harroni: inxhinierët e vërtetë jo vetëm që zgjidhin problemet, por ata krijojnë të ardhmen” – thotë studentjai më e mirë e diplomuar në Fakultetin e Ndërtimtarisë në UQM./ GazetaFAKTI