Ajo që po ndodh sot në Serbi nuk është plotësisht e kuptueshme për opinionin publik në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.

Një valë protestash masive shpërtheu në nëntor 2024 në Novi Sad, pas shembjes së një mbulese në stacionin hekurudhor, që shkaktoi vdekjen e 16 personave. Që atëherë, protestat janë përhapur pothuajse në të gjitha qytetet dhe vendbanimet në Serbi.

Lëvizja udhëhiqet nga studentët, të cilët e konsiderojnë tragjedinë si rezultat i korrupsionit dhe standardeve të dobëta të ndërtimit, të zbatuara nga një kompani kineze. Ata kërkojnë përgjegjësi për shembjen e strukturës dhe jetët e humbura. Bllokimi i institucioneve arsimore nisi më 22 nëntor në Fakultetin e Arteve Dramatike në Beograd, pasi studentët që po nderonin viktimat u sulmuan. Brenda pak ditësh, protestat u përhapën edhe në universitete dhe shkolla të tjera të mesme.

Çdo të premte, protestuesit organizojnë aksionin “Ndalu, Serbi!” duke bllokuar trafikun në qytete të ndryshme. Më pas, bllokadat u kthyen në një aktivitet të përditshëm në disa zona.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, që deri atëherë dukej se kishte konsoliduar plotësisht pushtetin dhe konsiderohej i paprekshëm, papritur u shfaq i cenueshëm. Protestat po bëhen gjithnjë e më të mëdha, ndërkohë që prania e disa strukturave pro-ruse ka hapur shumë dilema.

Për të diskutuar këtë çështje, gazetari Xhelal Neziri ka realizuar një intervistë për portalin rajonal Balkanview.com me Branko Çeçen, një figurë e njohur dhe me ndikim në opinionin e Serbisë. Ai është ish-drejtor i Qendrës për Gazetari Hulumtuese të Serbisë (CINS) dhe mbetet aktiv si gazetar, redaktor dhe trajner me përvojë në shumë trajnime për përmirësimin e sigurisë së gazetarëve në gjithë Serbinë.

GJENDJE KAOTIKE, E NDËRLIKUAR DHE SHUMË EMOCIONALE

BalkanView: Çfarë po ndodh në Serbi?

Branko Çeçen: Thjesht – është një kryengritje kundër pasojave të korrupsionit të përhapur, mashtrimeve zgjedhore dhe sjelljes së paligjshme të qeverisë. Pas shumë rasteve të ngjashme, rasti i korrupsionit që shkaktoi vdekjen e 16 personave shpërtheu zemërimin dhe zhgënjimin e qytetarëve. Reagimi i ashpër i qeverisë ndaj protestuesve bëri që studentët të nisin protestën e tyre, e cila galvanizoi qytetarët dhe çoi në atë që sot është muaji i 8-të i protestave të pandërprera dhe rezistencës ndaj qeverisë. Regjimi refuzon të ndërmarrë kompromise të pranueshme me universitetet dhe qytetarët. Vuçiç dhe bashkëpunëtorët e tij thjesht nuk mund ta lejojnë veten të humbin pushtetin, sepse shumë prej tyre do të përfundonin në burg. Vuçiç vetë e shkel Kushtetutën çdo ditë. Dukshëm, qeveria llogariti se lodhja do t’i shuante protestat, por kur kjo nuk ndodhi, shtoi represionin policor, presionin gjyqësor dhe dhunën nga grupe informale me të kaluar kriminale. Është një situatë kaotike, e ndërlikuar dhe shumë emocionale.

BalkanView: Kush po kërkon rrëzimin e regjimit të Vuçiçit – studentët apo partitë opozitare?

Branko Çeçen: Të dyja. Kërkesat e studentëve nuk ishin politike. Ata kërkonin vetëm që përgjegjësit për korrupsionin dhe pasojat e tij të përgjigjen përmes drejtësisë, ashtu siç duhet. Por, pas muajsh protestash, edhe ata, si gazetarët e pavarur, shoqëria civile dhe aktivistët politikë, kuptuan një të vërtetë themelore: Vuçiç nuk ka ndërmend të tërhiqet asnjë hap. Edhe pse është e qartë se ku qëndron përgjegjësia dhe mediat e kanë zbuluar se korrupsioni buron nga rrethi i tij i ngushtë, ai nuk tërhiqet. Vendimi i studentëve për të kërkuar zgjedhje vjen nga bindja se qytetarët janë të lodhur fizikisht dhe psikologjikisht, dhe se Vuçiç nuk do t’u japë asgjë. Zgjedhjet, edhe pse larg të qenit të lira dhe të ndershme, shihen si e vetmja mënyrë paqësore për të dalë nga kjo krizë. Studentët tani kanë hyrë në arenën politike, duke shpallur një listë me figura jopolitike për zgjedhje. Anketat tregojnë se mbi gjysma e popullsisë do ta mbështeste këtë listë. Opozita, që nuk gëzon mbështetjen e studentëve, ka pak gjasa. Kjo nuk është e drejtë, pasi aktivistët opozitarë kanë vuajtur më shumë nën këtë regjim. Por qeveria studentore do të ishte e përkohshme, me mandat për të krijuar kushte për zgjedhje të rregullta.

BalkanView: Vuçiç thotë se ky është një “revolucion laraman” i financuar nga jashtë për të dobësuar Serbinë. Në çfarë e bazon këtë pretendim?

Branko Çeçen: Në asgjë. Nuk ka paraqitur asnjë provë, si zakonisht. Është një akuzë e rreme për qëllime propagandistike. Edhe mediat që e mbështesin (pothuajse të gjitha në Serbi) nuk kanë ofruar asgjë konkrete. Mund të kuptohet skepticizmi për nivelin e lartë të organizimit të studentëve, por kjo lëvizje është autentike. BE-ja, Gjermania, Franca, SHBA – janë aleatë të Vuçiçit. Po kush saktësisht qëndron pas këtij “revolucioni”? Nëse do të kishte aktorë të jashtëm, gazetaria hulumtuese do ta kishte zbuluar tashmë. Ndërkohë, ka shumë prova të bashkëpunimit të dyshimtë të qeverisë me shërbimet sekrete ruse dhe regjime autoritare. Serbia po kalon një katharsis politik dhe shoqëror – nuk duhet njollosur kjo ngjarje historike me akuza të pabaza nga një autokrat në rënie.

NË BALLKAN NUK FITOHEN ZGJEDHJET PA NACIONALISTËT

BalkanView: A janë strukturat pro-ruse të infiltruar në protesta? A ekziston rreziku që ato ta “rrëmbejnë” revolucionin?

Branko Çeçen: Çdo ngjarje si kjo përbën interes për aktorë të ndryshëm. Shërbimet sekrete kërkojnë ndikim tek vendimmarrësit e rinj. E kemi parë edhe në vitet ’90, sidomos kur u rrëzua Millosheviçi. Askush nuk e di saktë se kush është infiltruar, por kjo nuk do të thotë se pro-rusët i kanë marrë protestat apo se janë shumicë. Ka rusofilë, por propagandën ruse e ka përhapur regjimi që prej 13 vitesh. Ky protest ka tejkaluar ideologjitë – shembja e një mbulese që vret një fëmijë është e papranueshme për të djathtët, të majtët dhe të gjithë në mes. Nacionalistët serbë protestojnë bashkë me boshnjakët dhe të majtët. Ky bashkim e bën të pamundur mbijetesën e regjimit. Retorika nacionaliste në ndonjë tubim nuk e përfaqëson frymën e vërtetë. Për herë të parë që prej para-Millosheviçit, boshnjakët ndihen të pranuar. Nuk ka pasur asnjë incident nacionalist në ngjarjet e organizuara nga studentët.

S’KA KTHIM PRAPA

BalkanView: Protestuesit kërkojnë zgjedhje të parakohshme, por opozita është e dobët. Si mund të arrihet ndërrimi i regjimit?

Branko Çeçen: Kjo është pyetja që na mundon të gjithëve, sidomos se si të ndodhë paqësisht. Vuçiç ka shtypur opozitën që nga fillimi i sundimit të tij – mbi 400 aktivistë të Partisë Demokratike u arrestuan brenda pak vitesh. Kjo është arsyeja pse opozita nuk është zhvilluar. Por qytetarët, sipas sondazheve, janë të gatshëm të mbështesin çdo opsion që përkrahin studentët. Përballë tyre kanë një sistem masiv manipulimi zgjedhor, institucione të kapura, polici sekrete dhe dhunë. Megjithatë, ata që protestojnë nuk shohin më kthim mbrapa. Nëse Vuçiç fiton, do të hakmerret për gjithçka që studentët dhe qytetarët i kanë bërë deri tani. Prandaj zgjedhjet janë e vetmja rrugë pa gjakderdhje. Por Vuçiç nuk organizon zgjedhje pa qenë i sigurt se do t’i fitojë. Serbia do të duhet ta detyrojë atë.

BalkanView: Çfarë alternative mund të prodhojnë protestat – një qeveri pro-evropiane apo më afër Rusisë dhe Kinës?

Branko Çeçen: Është e vështirë të imagjinohet një largim nga BE drejt BRICS. Jo se Rusia dhe Kina janë jopopullore, por mbi 70% e tregtisë së jashtme është me BE. Çdo qeveri e re do të duhet të bashkëpunojë me BE-në për të shmangur kolapsin ekonomik. Vuçiç po e shkatërron buxhetin dhe një qeveri e re do të varet nga ndihma ndërkombëtare. Rusia nuk është adresë për ndihmë financiare. Në anën politike, vlerat që studentët kanë promovuar janë evropiane. Por BE ka mbyllur sytë ndaj shkatërrimit të shtetit ligjor nga Vuçiç për vite me radhë. Ai e ka sulmuar BE-në në media, por gjithsesi ka marrë mbështetje dhe miliona euro çdo vit. Prandaj BE mungon në këtë krizë. Ata presin të shohin kush do të fitojë. Megjithatë, me Vuçiçin që nuk kontrollon më asgjë, BE logjikisht po kërkon partnerë të rinj. Askush nuk e di si do të përfundojë kjo krizë, por të gjithë e dimë si duket Serbia sot – dhe ajo çfarë shohim është e papranueshme për shumicën e qytetarëve të saj.