Largimi i Christopher Nkunku nga Chelsea këtë verë po bëhet gjithnjë e më i pashmangshëm. Sulmuesi francez kërkon më shumë minuta loje dhe po mendon seriozisht një transferim, sipas raportimeve të Fabrizio Romanos.

Burime pranë lojtarit konfirmojnë se Nkunku është i zhgënjyer me minutat e pakta në ‘Stamford Bridge’ dhe dëshiron të rigjejë formën duke ndryshuar ambient.

Chelsea ka qenë i hapur për shitjen e tij që nga janari, ndërsa së fundmi ka ulur çmimin nga 65 milionë funte në rreth 43.3 milionë funte, gjë që ka rritur interesin nga klubet evropiane.

Në mesin e të interesuarve, Bayern Munich mbetet një nga opsionet më serioze. Gjigantët gjermanë po e ndjekin me kujdes situatën e ish-sulmuesit të RB Leipzig.

Nkunku regjistroi 15 gola dhe 5 asistime sezonin e kaluar në të gjitha garat, por lëndimet dhe mungesa e stabilitetit taktik e kanë penguar të shfaqet në nivelin që pritej prej tij në Premier League.

Aktualisht, disa klube nga Gjermania dhe Italia kanë hyrë në kontakt me Chelsean dhe përfaqësuesit e lojtarit, duke shqyrtuar mundësinë e një marrëveshjeje gjatë kësaj vere.

Bisedimet pritet të intensifikohen në ditët në vijim, me Chelsean që synon ta përmbyllë transferimin para fundit të afatit kalimtar. Vendimi përfundimtar i Nkunkut pritet së shpejti.