Përderisa kanë mbetur edhe tri ditë afat kushtetues për konstituim të Kuvendit, Lëvizja Vetëvendosje mbanë shpresat tek një përgjigje pozitive nga Nisma Socialdemokrate për koalicion qeverisës.

Sipas deputetes, Arbëreshe Kryeziu një përgjigje e tillë duhet të jetë para datës 26 korrik.

“Ne po presim një përgjigje prej këtij subjekti politik. Jemi optimist se do të kemi një përgjigje pozitive të paktën deri në fund të kësaj jave, pasi po i afrohemi datës 26 korrik, kur edhe konsumohet 30-ditëshi në aktgjykimin e Kushtetueses. Një gjë e tillë duhet të ndodh para këtij afati sepse e kemi obligim dhe përgjegjësi secili prej deputetëve, pa marrë parasysh subjektet politike që të kontribuojë në konstatimin e Kuvendit”, theksoi ajo.

Kreu i PDK-së Krasniqi ndërkaq tha se pikëpyetje e madhe është se a kanë të drejtë ta konstituojnë kuvendin pas përfundimit të afatit kushtetues.

“Ne kemi dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, besoj edhe LDK po ashtu dhe deri tash nuk kemi marrë një aktgjykim. Kemi pritur shumë që kjo të ndodhë para datës 26, janë edhe tri ditë ndoshta do ta qartësonte së paku pjesën e votimit të fshehtë i cili në leximin tonë dhe të gjithë ekspertëve përveç atyre ekonomistëve të Vetëvendosjes që janë bërë ekspertë ligjor, të gjithë të tjerët e dimë që ndryshimi i rendit të ditës nuk mund të ndodhë. Nëse ne nuk arrijmë që ta konstituojmë kuvendin brenda 30 ditëve, pikëpyetje e madhe është se a kemi të drejtë ta konstituojmë në ditën e 31-të”, tha Krasniqi.

Ndërsa kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, tha se është e paqartë se çfarë mund të ndodh pas afatit kushtues për konsituim të Kuvendit por sipas tij, Lëvizjes Vetëvendosje, duhet t’i merret e drejta për propozim të kandidatit për kryeparlamentar.

“Meqenëse kemi një rrjedhje të afatit dhe konsiderojmë se ka paqartësi nuk e shohim si të dëmshme apo të pavend. Nuk është thelbi i lëndës masa, por çka ndodh pas tridhjetë ditëve. S’kemi qartësi se çka ndodh tutje, përveç faktit që kushtetuesja ka thënë se moskonstituimi nuk shkakton zgjedhje të reja…Gjykata Kushtetuese është e qartë dhe thotë se e drejta për propozim i takon të parit dhe përgjegjësia për formimin e shumicës i takon të parit. Nëse i pari nuk dëshiron të shfrytëzojë këtë të drejtë atëherë do të ishte e logjikshme dhe si përfundim se kjo e drejtë t’i merret dhe t’i kalojë atij që mund të bëjë. Kjo është një interpretim i një gjendje dhe ngërçi që na ka sjell në këto rrethana”, tha Abdixhiku.

Presidentja Osmani ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese masë të përkohshme për pezullimin e rrjedhjes së afatit për konstituim si dhe qartësi të pasojave juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet deri më 26 korrik.

Për kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinjan pezullimi i rrjedhjes së afatit mbetët shpresa e vetme.

“Jemi edhe pak ditë para se të përmbyllet afati i 30 ditëve, ajo që ndodhi me angazhimin e presidentes tani e ndryshon gjendjen. Ekziston mundësia e pauzës ose ngrirjes së afatit 30 ditor, që do të thotë që na mbesin pak ditë në mënyrë që të gjeturat e reja të Gjykatës Kushtetuese të mund të zbatohen brenda afatit 30 ditor kurdo që krijohet mundësia e vazhdimit. E nëse është kështu e vetmja shpresë mbetet kjo”, tha ai.

E kryetari i Nismës Socialdemokrate tha se është në interes të partive politike që të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese ndaj kërkesës së presidentes.

“Edhe në interesin e partive politike tash është që të pritet vendimi i gjykatës në dy drejtimet nëse do të ketë masë të përkohshme apo jo, por t’i jepet edhe mundësi partive politike në këtë kohë nëse ka masë të përkohshme, në këtë kohë për ditët që kanë mbetur siç e ka parashikuar presidentja të gjendet një zgjidhje edhe të vihet në një shumicë parlamentare. Ajo çfarë unë dua të them është se qëndrimi i Nismës është që ne nuk besojmë në zgjidhje parciale, ne duam një shumicë qeverisëse e cila e konstituon edhe Kuvendin edhe krijon qeverinë. Nisma nuk do të kontribuojë, nuk do të jetë kontributore në zgjidhje gjysmake që pastaj do të shkaktonin zgjedhje. Nëse shkojmë vetëm të zgjidhja e çështjes së konstituimit të kuvendit pa pasur një shumicë, mund të shkaktohen zgjedhje të parakohshme. Por Nisma nuk do të kontribuojë, nuk do të jap kontributin e vet në zgjidhje të tilla gjysmake që nuk zgjidhin çështje ose nuk krijojnë institucionet”, tha Limaj.

Gjykata Kushtetuese më 26 qershor ka obliguar deputetët e Kuvendit të Kosovës që të konstituojnë legjislaturën e nëntë deri më 26 korrik, mirëpo nuk ka specifikuar pasojat juridike nëse nuk ndodh një gjë e tillë./RTV21/21Media