Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademajt.

Sipas raportit që ka siguruar KOHA më 11 korrik, nuk është konstatuar asnjë çrregullim mendor te i akuzuari.

“Tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm”, thuhet në raportin e Institutit.

Në dokumentin e njëjtë sqarohet se Murseli nuk ka shfaqur shenja të abuzimit me substanca psikoaktive apo alkool dhe se nuk është identifikuar asnjë problem i natyrës mendore që ta kishte penguar ta kuptonte rëndësinë e veprës penale.

“Në momentin e kryerjes së veprës për të cilën akuzohet, nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik, e cila do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës si dhe të kontrollojë veprimet e tij. Kjo është bazuar edhe në sjelljen e tij dhe dinamikën para, gjatë dhe pas veprës, për të cilën akuzohet.”

Përfundimi i raportit është i prerë: Naim Murseli është plotësisht i përgjegjshëm dhe i llogaritshëm para ligjit.

“Mund të marrë pjesë në seancën gjyqësore, është i aftë për të mbrojtur veten, të konsultohet me persona të tjerë duke përfshirë mbrojtësit, kupton akuzën dhe është në gjendje të përballet me gjykimin”, thuhet në raportin e siguruar nga KOHA.

Naim Murseli ishte dërguar për ekzaminim psikiatrik në Institutin e Psikiatrisë Forenzike para katër javësh, si pjesë e hetimeve për vrasjen që tronditi opinionin publik në fund të vitit të kaluar.