Gjykata Themelore Penale në Shkup shpalli sot fajtorë Ljube Krstevski dhe Branko Bilbilovski për vrasjen e qenit Felix, i cili ndërroi jetë më 7 janar të këtij viti si pasojë e plagëve të marra.

Gjykata e dënoi Krstevskin me tre muaj burg, ndërsa Bilbilovski u dënua me gjobë prej 100 ditësh me nga 10 euro për ditë, ose gjithsej 1.000 euro, raportoi agjencia MIA.

Sipas aktakuzës, krimi është kryer më 19 nëntor të vitit të kaluar. Atë ditë, Krstevski, pa asnjë arsye të justifikuar, e kishte goditur disa herë qenin me një objekt të fortë, të ngjashëm me shkop, në kokë, duke i shkaktuar tronditje të trurit dhe hematoma.

Më pas, së bashku me Bilbilovskin, e kishin lidhur qenin me tel dhe, duke e tërhequr zvarrë, e kishin hedhur në kontejner, duke menduar se ishte i ngordhur.

Qeni Felix ndërroi jetë më 7 janar në Ndërmarrjen Publike “Laika”, ku punonjësit u përpoqën ta shpëtonin nga plagët e rënda në kokë, por pa sukses.

Prokuroria publikoi më 16 janar, nëntë ditë pas vdekjes së qenit, se ishte ngritur aktakuzë kundër të dy të dyshuarve për këtë rast.

Veprimi i tyre u kualifikua sipas nenit 233, paragrafi 1 të Kodit Penal, i cili parashikon dënim me gjobë ose burgim deri në tre vjet për ata që pa arsye të justifikuar vrasin një kafshë, e keqtrajtojnë rëndë apo i shkaktojnë vuajtje të panevojshme.

Procesin gjyqësor e udhëhoqi gjyqtarja Lidija Petrovska, ndërsa prokuror i çështjes ishte Zoran Zdravev.

Rasti i dhunës brutale ndaj qenit endacak shkaktoi reagime të forta në opinion pasi u shfaq një video tronditëse nga ngjarja që ndodhi në ambientet e një kompanie në lagjen Momin Potok.

Shoqatat për mbrojtjen e kafshëve, qytetarë dhe aktivistë zhvilluan disa protesta, duke kërkuar dënime sa më të ashpra për autorët e vrasjes së Fëlixit. Disa nga protestat u mbajtën para Gjykatës Penale të Shkupit ku zhvillohej procesi gjyqësor.

Shoqata “Anima Mundi”, në fund të shkurtit, dorëzoi një nismë për ndryshime dhe plotësime të Kodit Penal, me qëllim që të përfshihen forma të reja të veprës penale për keqtrajtim të kafshëve dhe rritje të dënimeve për këtë krim.