Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe njëherit kandidati I BDI-së për kryetar të Komunës së Çairit në zgjedhjet locale të tetorit , ka reaguar ashpër pas pranimit të një donacioni prej 800 mijë eurosh nga Serbia nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë veprim si një tjetër dëshmi të rrezikut real që i kanoset orientimit strategjik të vendit informon Tetovasot.
“Miratimi i raportit të Parlamentit Evropian, ku 461 eurodeputetë nga të gjitha spektrat politike konstatojnë se Maqedonia e Veriut është kapur nga rrjeta e “botës serbe”, është alarmant.
Ky nuk është më qëndrim politik është një fakt i konfirmuar nga shumica absolute e përfaqësuesve të qytetarëve evropianë” deklaron Osmani.
Sipas tij, ky donacion i fundit nga Serbia, i pranuar pa transparencë dhe pa sqarime për publikun, vetëm sa e konfirmon rrëshqitjen e vendit drejt agjendave që nuk përputhen me vlerat dhe orientimin evropian të shtetit.
“Kemi paralajmëruar prej muajsh për këtë rrjedhë të rrezikshme: një devijim i qartë nga vlerat e BE-së dhe nga marrëveshjet mbi të cilat është ndërtuar ky shtet multietnik. Ky veprim kërkon hetim të menjëhershëm dhe një debat serioz në Kuvend,” thekson Osmani.
Ai ngre disa pyetje thelbësore që, sipas tij, kërkojnë përgjigje të menjëhershme:
Si u fut shteti në këtë rrjetë ndikimi?
Kush e rrezikoi projektin më të rëndësishëm strategjik të shqiptarëve – integrimin evropian?
Cilat janë pasojat për bashkëjetesën e brendshme dhe për rrugën drejt BE-së?
“Nuk ka çështje më urgjente sot. Ky është rreziku më i afërt për të ardhmen e vendit” përfundon Osmani.Tetovasot