Hulk Hogan ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare, duke lënë pas vetes një trashëgimi të jashtëzakonshme në botën e mundjes dhe argëtimit.

Hogan – emri i vërtetë i të cilit ishte Terry Gene Bollea – ndërroi jetë të enjten në mëngjes, pasi pësoi arrestit kardiak në shtëpinë e tij në Clearwater, Florida. Sipas autoriteteve, ai u trajtua nga shërbimet emergjente në vendngjarje rreth orës 10:00 të mëngjesit me orën lokale, por vdiq në spital rreth një orë më vonë.

Presidenti Donald Trump: “Humbëm një mik të madh – Hulk Hogan ishte MAGA deri në fund”

Ish-presidenti amerikan Donald Trump ishte një nga të parët që reagoi publikisht pas ndarjes nga jeta të ikonës së WWE. Ai ndau një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke e cilësuar Hogan si “një mik të madh” dhe “njeri me zemër të madhe”.

“Sot humbëm një mik të madh – ‘Hulkster’. Hulk Hogan ishte MAGA deri në fund – i fortë, i mençur, i ashpër, por me një zemër gjigante. Ai mbajti një fjalim absolutisht elektrik në Konventën Nacionale Republikane, një nga kulmet e asaj jave. Ai argëtoi fansa nga mbarë bota dhe ndikimi i tij kulturor ishte i jashtëzakonshëm. Për gruan e tij, Sky, dhe familjen e tij, u dërgojmë ngushëllimet dhe dashurinë tonë më të ngrohtë. Hulk Hogan do të na mungojë shumë!”

Reagimet nga bota e mundjes – WWE, Triple H dhe Ric Flair nderojnë legjendën

WWE publikoi një deklaratë zyrtare në nderim të një prej figurave më emblematike të historisë së saj:

“WWE është mërzitur pasi mësojë për vdekjen e anëtarit të WWE Hall of Fame, Hulk Hogan. Një nga figurat më të njohura të kulturës pop, Hogan ndihmoi WWE-në të arrijë njohje globale në vitet ’80. U shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, miqve dhe fansave të tij.”

Triple H, një tjetër ikonë e WWE-së, theksoi ndikimin monumental që kishte Hogan në industrinë e mundjes:

“WWE nuk do të ishte kjo që është sot pa karaktere të mëdha si Terry ‘Hulk Hogan’ Bollea. Ai ishte përkufizimi i ‘Superstarit’ – një sensacion global që frymëzoi miliona. Me veshjet e kuqe dhe të verdha apo në epokën e nWo-së, Hulk ishte thjesht i paharrueshëm. Ai i dha sportit përmasa ndërkombëtare dhe një frymë që do të jetojë përherë. Nuk ka pasur askënd si ai, dhe ndoshta nuk do të ketë më.”

Ric Flair: “Askush nuk do ta zëvendësojë kurrë Hulk Hoganin”

Miku i ngushtë dhe rivali i vjetër në ring, Ric Flair, publikoi një mesazh prekës:

“Jam absolutisht i tronditur nga lajmi për ndarjen nga jeta të mikut tim të ngushtë @HulkHogan! Hulk ka qenë pranë meje që kur e nisëm së bashku këtë rrugëtim. Një atlet, talent, mik dhe baba i jashtëzakonshëm! Ai ishte aty për mua edhe kur nuk ia kërkova. Më vizitoi në spital kur kisha vetëm 2% gjasa për të mbijetuar dhe lutej pranë shtratit tim. Madje më ndihmoi financiarisht kur djali im Reid ishte i sëmurë. Hulkster, askush nuk do të jetë si ti. Prehu në paqe, mik!”

⭐ Nga Hulkamania tek Hall of Fame

Hogan u bë i famshëm në vitet ’80 me lëvizjen “Hulkamania”, duke u kthyer në një nga emrat më të njohur të kulturës pop. Me pamjen karakteristike dhe karizmën në ring, ai e bëri WWE-në të njohur në çdo cep të botës.

Në vitin 2005, ai u përfshi në WWE Hall of Fame, duke kurorëzuar një karrierë që zgjati dekada dhe frymëzoi miliona njerëz.